PDK e LDK, po përgatiten për zgjedhje
Dy partitë politike që përbëjnë koalicionin e qeverisës, PDK e LDK, edhe pse po kundërshtojnë kategorikisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ato tashmë kanë filluar mobilizimin e partive nga brenda.

Lajme
Madje intensifikimi i takimeve nëpër degë e nëndegë nga liderët e partive, nga analistët konsiderohet si fillim i fushatës për zgjedhje të parakohshme, shkruan Zëri.
Më aktiv në terren është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij Kadri Veseli. Por, edhe LDK-ja është aktive në terren, pasi disa nga drejtuesit e kësaj partie po zhvillojnë takime të shumta me strukturat e partisë.
Gjithnjë sipas analistëve, dy partitë e mëdha përgatiten për zgjedhje, në rast se dështon përpjekja e Hashim Thaçit për t’u zgjedhur president. Por, në anën tjetër vetë përfaqësuesit e këtyre dy partive politike, takimet e shpeshta nëpër degë e nëndegë i konsiderojnë të rëndomta.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Mus Murati, ka thënë se këto takime janë pjesë e agjendës së partisë, ndërkaq anëtari i kryesisë së LDK-së, Sadri Ferati, ka deklaruar se partia e tij është aktive me këso takime gjatë gjithë vitit.
Por analisti Halil Matoshi, konsideron se zgjedhjet e parakohshme kanë trokitur në dyert e partive.
“Subjektet politike po i shfrytëzojnë këto takime si fushatë parazgjedhore sepse partitë e kanë kuptuar tashmë se sivjet do të ketë zgjedhje deri në vjeshtë maksimumi”, ka thënë Matoshi. /Zëri