PDK bëhet anëtare me të drejta të plota në ALDE

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot është bërë anëtare me të drejta të plota e grupacionit më të madh politik të partive liberale të Evropës, ALDE. Në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, anëtarët kanë votuar pa asnjë votë…

Lajme

04/12/2022 22:17

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot është bërë anëtare me të drejta të plota e grupacionit më të madh politik të partive liberale të Evropës, ALDE.

Në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, anëtarët kanë votuar pa asnjë votë kundër për pranimin e PDK-së.

Parimet themelore liberale të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe solidaritetit – janë vlerat që promovojnë partitë politike që qëndrojnë nën ombrellën e ALDE-s, e të cilat PDK i ka si mision për t’i zbatuar edhe në Kosovë.

Kryetari Memli Krasniqi i cili po merr pjesë në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të ALDE-s në Bratislavë, ka thënë se pranimi i PDK-së në këtë grupacion politik po vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për PDK-në.

“Ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti. Një PDK e hapur dhe gjithëpërfshirëse, me vizion 50/50 për përfaqësim gjinor në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, me rini të fuqizuar dhe aktive, si dhe e integruar në rrjetin e partive liberale evropiane, është plotësisht në funksion të forcimit dhe demokratizimit të vendit dhe shoqërisë tonë”, ka thënë Krasniqi.

Anëtarësimi me të drejta të plota në ALDE vjen pas pranimit në Rrjetin Liberal të Evropës Juglindore (LIBSEEN) me 14 maj, pjesëmarrjes së kryetarit Krasniqi në kongresin e ALDE-s në Dublin të Irlandës në qershor të këtij viti, ku ai shprehu aspiratën e PDK-së për pranim në këtë parti dhe vizitës studimore që byroja e ALDE-s e realizoi në Prishtinë në mes të tetorit.