PDK akuzon LDK-në në Istog

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Istog ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në këtë komunë për shkelje të procedurave ligjore gjatë tenderimit dhe për favorizime në punësim të militantëve të LDK'së. Këto akuza i ka mohuar kreu i kësaj komune, Haki Rugova.

Lajme

03/10/2016 21:04

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Istog gjatë një konference për media ka shprehur shqetësimin e saj për gjetjet e auditorit të përgjithshëm për vitin 2015.

Nga gjithsej 15 shkelje të evidentuara në raportin e auditimit, zyrtarët e kësaj dege kanë përmendur gjashtë prej tyre si raste më të rënda ku janë shkelur të gjitha procedurat ligjore të tenderimit.

Kryetari i degës së PDK në Istog, Shasivar Haxhijaj duke folur për këto shkelje, tha se udhëheqja komunale në Istog në vazhdimësi ka favorizuar militantët e LDK-së në dhënien e tenderëve dhe në punësim.

Mirëpo, akuzat e zyrtarëve të PDK-së i ka mohuar kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova.

“Ka mjaft kompani që kanë marrë punë dhe kanë kontratë me Komunën, që unë haber nuk kam a janë LDK a s’janë LDK. Ka qenë i favorfshëm vlerësimi i komisioneve dhe i zyrës së prokurimit, dhe si i tillë unë e kam miratuar”, ka thënë ai.

“Nuk ka të bëjë me çështje të militantëve. Le ta argumentojnë se cili është militant. Nuk kam fajë unë që 70 për qind në Istog janë me LDK’në”, ka thënë Rugova.

Ndryshe, zyrtarët e PDK-së në Istog kanë ftuar organet përgjegjëse, përkatësisht prokurorinë e shtetit që menjëherë të nisë procedurat hetimore ndaj zyrtarëve komunalë në Istog për, siç thonë, shkelje të procedurave ligjore gjatë tenderimit. /rtk