PDK: Ahmeti të kujdeset për shëndetin e nxënësve, e jo të organizojë protesta

Gjetja e copave të mishit të miut në kiflet që u serviren nxënësve të shkollave të Prishtinës ka qenë shkas për PDK-në që t’ia rikujtojë të parit të kryeqendrës, Shpend Ahmetit, se “është më me rëndësi që të merret me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve të Prishtinës, të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve të kryeqytetit, e jo me organizimin e protestave”.

Lajme

17/04/2015 13:46

“Nëse dikush në Kosovë ka arsye për të protestuar, ata janë qytetarët e Prishtinës kundër një udhëheqjeje komunale dhe një kryetari i cili është bërë sinonim i shkeljeve ligjore, paaftësisë menaxhuese, arrogancës dhe për më shumë nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të Prishtinës”, thuhet në reagimin e Degës së Prishtinës të PDK-së.

Duke përkujtuar se “ky është vetëm një nga skandalet e radhës së kësaj qeverisjeje, pasi që i njëjti rast ndodhi edhe më parë që kishte të bënte po ashtu me kiflet e mykura me të cilat ushqeheshin nxënësit”, PDK e Prishtinës thotë se “është shqetësues fakti se këto raste kanë kaluar pa asnjë masë ndëshkuese” për përgjegjësit.

“Ne si PDK jemi thellësisht të shqetësuar me ngjarjet e fundit që rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës pasi që organet komunale nuk ushtrojnë kontroll në kualitetin e shërbimeve të komunës.

Rasti i djeshëm dëshmoi edhe njëherë se për udhëheqjen e Kryeqytetit nuk është parësore interesi i qytetarëve, nuk është qeverisja dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Prishtinës, as kujdesi dhe mirëqenia e tyre”, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së.