Pavarësisht kundërshtimeve, në Dragash u vendos shtatorja e Adem Jasharit (Foto)
Në nderim të figurës së legjendarit Adem Jashari, sot në Dragash është përuruar shtatorja e tij.
Lajme
Qindra persona, në mesin e të cilëve veteranë të luftës ishin të pranishëm gjatë ditës së sotme për të nderuar figurën e heroit të luftës, Adem Jashari, raporton lajmi.net.
Në këtë ditë të veçantë, nuk mungoi as Rifat Jashari, vëllai i komandantit të UÇK-së.
Vendosja e kësaj shtatoreje në këtë qytezë, zgjoi shumë polemika nga komuniteti boshnjako-goran. Të njëjtit e kundërshtuan një veprim të tillë.
Mirëpo, pavarësisht këtyre kundërshtimeve Kuvendi i Dragashit mori vendim që të vendoset shtatorja e Adem Jasharit në qendër të qytezës.
Me 18 vota për, e dy të padeklaruar, u mor vendimi për vendosjen e shtatores në qendër të qytezës së Dragashit, e po ashtu edhe emërimin e sheshit me emrin e komandantit të UÇK-së.
Kundër bustit të Adem Jasharit në Dragash, u pat nisur edhe një peticion, por që nuk gjeti përkrahje dhe u nënshkrua nga pak njerëz./lajmi.net



