Pason Nisma 2, nga ndarja e Partisë së Drejtësisë

Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim e krijuar nga ish-anëtarë të PD’së do të jetë e gatshme për zgjedhje. Amir Ahmeti thotë se kjo nismë u krijua sepse programi i PD’së nuk u realizua nga kryetari i saj.

Lajme

06/03/2014 08:50

Ish-nënkryetari i PD’së, Amir Ahmeti, së bashku me disa anëtarë të tjerë të PD’së, kanë themeluar Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim.

Ahmeti në një intervistë për “Epoka e Re”, thotë se largimi tij nga PD ka ndodhur për shkak të mosrealizimit të programit të PD’së nga kryetari i saj.

“Qëllimi i largimit tonë ka qenë pikërisht mosrealizimi i programit të PD’së nga kryetari i saj. Kurse realizimi i programit do të nënkuptonte të panevojshmërinë e një nisme të re politike të krahut të djathtë konservator”.

Deputeti i pavarur Amir Ahmeti thotë se akoma nuk mund të thotë se kush do të jetë kryetar i kësaj nisme. Ai thotë se kah fundi i këtij muaji do të organizojmë një tubim konstituimi ku do të zgjedhen një kolegjium prej tre vetash për të udhëhequr këtë nismë.

“Askush nuk mund të prejudikojë se kush do të jetë kryetar i nismës. Nismëtarët e kësaj nisme vendimin për t’u aktivizuar e kemi marrë në fund të vitit të kaluar atëherë e kemi bërë publike”. “Tani që zgjedhjet edhe mund të shpallen shpejt, mendojmë të organizojmë një tubim konstituimi dhe të zgjedhjes së një kolegjiumi prej tre vetave për të udhëhequr nismën deri në mbajtjen e ndonjë Kuvendi ku do të zgjidheshin organet udhëheqëse”.

“Ndoshta nga fundi i këtij muaji, por koha e mbajtjes së kësaj mbledhje varet nga takimet që do t’i realizojmë nëpër qytetet e Kosovës”.

Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim, sipas Ahmetit është themeluar për të përmirësuar gjendjen e qytetarëve. Ai thotë se vetëm ky subjekt politik mund të ja u kthej “buzëqeshjen” qytetarëve të Kosovës.

“Synojmë në përmirësimin e këtij imazhi të Kosovës, por edhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Duke luftuar padrejtësinë dhe ofruar drejtësi për çdo qytetar të Kosovës pa dallim etnie, feje apo gjinie. Duke zhdukur varfërinë dhe zhvilluar ekonominë me kuadro profesionale dhe të përkushtuara me platformë të qartë dhe ekspertiza, kështu synojmë që ta kthejmë buzëqeshjen në fytyrat e të fjithë qytetarëve të vendit tonë. Këtë mund ta bëjë vetëm Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim”.

Amir Ahmeti thotë se NDZH prej fillimit është përgatitur për zgjedhje parlamentare. Ai thotë se ata do te jenë të gatshëm kurdo që të mbahen ato, por sipas mendimit të tij do të ishte mirë që fillimisht të kishte një reformë të mirë dhe më pas të shkohej në zgjedhje.

“Prej fundit të vitit të kaluar jemi duke u përgatitur për këto zgjedhje parlamentare”.

“Edhe ashtu sivjet është viti i rregullt zgjedhor, kurdo që mbahen ne do të mundohemi të jemi të gatshëm. Konsiderojë se më e rëndësishme është të kemi një reformë të mirëfilltë zgjedhore sesa në cilin muaj do t’i mbajmë zgjedhjet. Nëse reforma është e mirë atëherë nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve. Në qershor apo shtator, për neve është njëjtë”, ka thënë Amir Ahmeti për “Epoka e Re”.