Pasioni i Presidentes, lidhja me babain dhe xhelozia e nënës

Atifete Jahjaga thekson ndihmën që i është dhënë nga familja, sidomos sa ishte adoleshente, për të qenë e përgatitur për çdo sfidë në jetë. Nëna, me ‘xhelozi’ i ka thënë sa ishte e vogël, ‘ti je e atij (babait)’. Edhe vetë ajo vlerëson ende marrëdhënien me të.

Lajme

18/02/2014 19:50

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se është e përgatitur të përballet me sfida të ndryshme në jetë, pasi që eksperienca fëmijërore, dhe ndërtimi i personalitetit të saj me përgatitje profesionale e akademike ia ka mundësuar një gjë të tillë.

Ajo në një intervistë për Televizionin Klan, ka bërë me dije se me babanë i ka marrëdhëniet mjaltë. E këtë, e ka vërejtur edhe nëna e saj, duke iu drejtuar sa herë në fëmijëri ‘ti je e babait’.

“Eksperienca si fëmijë, si adoleshent, si student më ka përgatitur përballë çfarëdo sfide të jetës”.

“Është përgatitja ime profesionale dhe akademike, e cila sa ka ardhur e ka ndikuar në formësimin e personalitetit tim. Edhe familja ime ka qenë përkrahëse e fuqishme. Gjithmonë kam pasur përkrahje dhe mbështetje të fuqishme prej familjes sidomos në shkollë të mesme”.

“Përkrahja e gjyshit tim në atë kohë ka qenë e pakushtëzuar. Gjithmonë ka qenë babai dhe gjyshi të cilët më kanë ndihmuar shumë”.

Ajo e konsideron raportin me babanë si të veçantë, për të cilin thotë se nuk ka fjalë që ta shpjegojë.

 

“Unë babanë e kam mikun më të madh. Gjithmonë nëna është xheloze se thotë ke qenë vajza e babait”.

“Nga momenti që e mbaj mend për vete deri më tani, pa marrë parasysh çfarë vendimi kam marrë, ai ka qëndruar afër meje”.

“Ai ka qenë një raport dhe vazhdon të jetë një raport i veçantë në jetën time”, ka thënë Jahjaga.

Po bëhen tri vjet që Jahjaga mban postin e Presdientes së vendit.

Me Kushtetutë, pas dy viteve, ajo duhet të luftojë për një mandat të dytë, apo t’ia lëshojë vendin dikujt tjetër.

Thotë se vendimin nuk e ka marrë ende se çka do të bëjë kur t’i vijë koha të vendosë.

“Asnjëherë nuk jam ndalur të mendoj se çfarë do të bëjë pastaj. Sepse, kam shumë punë që duhet të përmbushë”.

 

“Nuk kam pasur kohë të mendojë për këtë. Kudo që jam unë do të jam në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe vendit tonë”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Por ajo nuk i përket vetëm zyrës dhe nevojave që ia kërkon posti, me pritjet dhe vizitat që bën.

Jahjaga përkujdeset edhe për veten. Në ujë e natyrë.

“Unë kam pasion të veçantë notin dhe ecjen në natyrë”.

“Për të parën nuk është e mundur në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse e kemi afër detin vetëm 2 orë”.

“Kurse për ecje unë për çdo mëngjes bëj ecje në parkun e Prishtinës e në parkun e Gërmisë. Nga 1 orë e gjysmë ose 2 orë”.

“Nga njëherë në muaj apo edhe më shumë tentoj të shkoj në ngjitje malore, apo ‘hiking’, në Malet e Sharrit a Pashtrakut së bashku me ekipin”.

“Kjo na kontribuon edhe në fizikun tonë për një energji më të re”, ka thënë Jahjaga.