Pas vendimit të Gjykatës, Kosova ka filluar të rrëshqas drejt zgjedhjeve

Analisti politik Dukagjin Gorani thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë vetëm PDK-së për nominimin e mandatarit të saj për Qeveri, ndërsa thotë se i gjithë problemi i vendimit qëndron në pikën ku thuhet që Presidentja mund edhe të nominojë edhe emrin e dytë të mandatarit po  nga PDK-ja.

Lajme

02/07/2014 09:05

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Gorani ka thënë se nëse mandatari nuk do të jetë nga PDK atëherë vendi shkon në zgjedhje.

“Pres komplikime të mëtejshme, kryekëput për shkak tyë paragrafit (e) të vendimit të Gjykatës, e që fillon me “Nuk përjashtohet mundësia që Presidenti i Republikës…”. për mua, në këtë fjali përqendrohet tërë fuqia reale e pushtetit aktual; aty shfaqet qartazi shkalla e ndikimit të tij të drejtpërdrejtë mbi institucionet qenësore të shtetit, çfarë janë Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese. Të gjithë e dimë e çfarë nënkupton kjo fjali: Presidenca do t’ia mundësojë vetëm PDK-së dhe kryetarit të saj mundësinë e nominimit të mandatarit të qeverisë së re. Përndryshe, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. I logjikshëm ose jo, ky është tashmë vendimi i plotfuqishëm i Gjykatës dhe duhet të respektohet”.

Dukagjin Gorani thotë se zgjedhjet ka gjasë të mbahen në mes të vjeshtës, por se thotë, në këtë periudhë, presioni ndërkombëtarë ndaj koalicionit të opozitës do të fillojë. Sipas tij, nëse ndonjëra nga partitë opozitare do të vendos që të hyjë në koalicion zgjedhor me PDK-në, për arsyetim do të ketë vetëm “interesin e vendit”.

“Më duhet të them se me këtë vendim kemi filluar rrëshqitjen drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat, me gjasë, do të mbahen kah mesi i vjeshtës. Këto do të jenë të pashmangshme nëse koalicioni opozitar LDK-AAK-Nisma nuk e ndryshon qëndrim e vet për mos përgjigje në ftesën e pritshme të PDK-së për ta themeluar një qeveri të përbashkët. Me sa po e shoh, opozita vazhdon të qëndrojë unike, mirëpo nuk duhet nënçmuar presioni që pritet të fillojë nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Në këso kompromise joetike gjithnjë ekziston arsyetimi suprem dhe kujdestar: interesi i vendit. Pra, nëse do të ndodhë “tradhtia” i marrëveshjes së koalicionit të opozitës, do të ndodhë në emër të këtij interesi”, ka thënë Gorani, shkruan sot “Epoka e Re”.