Pas PSG, edhe Man City i jep qetësi Barcelonës, nuk ka ofertë për Griezmann

Antoine Griezmann është një nga lojtarët që po gëzon vëmendjen më të madhe para afatit kalimtar të verës.

Sport

17/05/2019 16:30

Lojtari francez ka bërë të ditur më herët gjatë kësaj jave se do të largohet nga skuadra e Atletico Madrid në fund të këtij sezoni, duke ‘alarmuar’ skuadrat si Barcelona, PSG, Manchester City apo edhe Bayern Munich.

Në ditët e para të njoftimit të Griezmann, mediet evropiane e ‘transferuan’ lojtarin në Barcelonë, por dita ditës filluan të përmenden edhe Manchester City e Paris Saint Germain.

Më herët gjatë ditës së sotme ishte trajneri i PSG, Thomas Tuchel, ai i cili tha se Griezmann është fantastik, por një lojtar me kualitete të tilla nuk i nevojitet skuadrës.

Kurse, një mundësi për transferimin e francezit e ka hedhur poshtë edhe Pep Guardiola, i cili ka thënë se ‘Citizens’ nuk kanë fondet e mjaftueshme për transferimin e lojtarit.

“Njerëzit nga Barcelona nuk kanë nevojë të shqetësohen. Ne nuk do ta blejmë Griezmannin. Ne nuk kemi paratë” ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

Barcelona ishte afër një marrëveshje me Griezmann edhe më parë, por në fund kishte qenë vet lojtari që kishte rinovuar kontratën me Atleticon. Tani, duket se të gjitha rrugët po e qojnë atë në ‘Camp Nou’. /Lajmi.net/