Pas pritjeve prej dy orësh, shtyhet seanca për Ligjin e Speciales

Është shtyrë seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara. Seanca e paraparë të zhvillohet sot  është shtyrë dhe kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola. Ky vendim erdhi pas një sërë diskutimesh nga kryetarët e grupeve parlamentare dhe Golën, bashkë me kryeministrin…

Lajme

19/11/2026 12:16

Është shtyrë seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara.

Seanca e paraparë të zhvillohet sot  është shtyrë dhe kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola.

Ky vendim erdhi pas një sërë diskutimesh nga kryetarët e grupeve parlamentare dhe Golën, bashkë me kryeministrin Albin Kurti.

“Konsideruam që seanca që është thirrur me tri pika për vazhdim në orën 10:00 të shtyhet deri në votimin e ardhshëm, po vazhdojmë menjëherë me seancën e radhës”, ka thënë Ardian Gola.

Gola po ashtu njoftoi se pati një kërkesë për ndryshime të rendit të ditës, transmeton lajmi.net.

Ndryshe në rendin e ditës së kësaj seance janë paraparë votimi i dy propozim-rezolutave dhe rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pikat që pritej të shqyrtohen përfshijnë votimin e Propozim-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.Po ashtu, në rend dite është votimi i Propozim-Rezolutës nga mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Pikë tjetër është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i kthyer në Kuvend nga presidentja e Republikës së Kosovës./Lajmi.net/