Pas një dekade, Gjykata shpall të pafajshëm ish-deputetët për rastin e gazit lotsjellës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim përfundimtar në rastin e njohur të gazit lotsjellës në Kuvend, duke liruar nga të gjitha akuzat kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu. Vendimi vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor që ka zgjatur rreth dhjetë vite dhe ka përfshirë disa faza…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim përfundimtar në rastin e njohur të gazit lotsjellës në Kuvend, duke liruar nga të gjitha akuzat kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu.
Vendimi vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor që ka zgjatur rreth dhjetë vite dhe ka përfshirë disa faza shqyrtimi dhe rigjykimi, transmeton lajmi.net.
Lajmin e konfirmoi avokati Musa Damati, i cili përfaqësonte Lekajn, duke e cilësuar epilogun si një fitore të madhe për mbrojtjen dhe drejtësinë.
“Klienti im, zoti Pal Lekaj, është shpallur plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat që lidhen me rastin e gazit lotsjellës. Ky proces ka zgjatur me vite të tëra dhe në fund rezultoi me një vendim që dëshmon pafajësinë e tij. Është një triumf i qartë juridik dhe një sukses i mbrojtjes pas një rruge të gjatë gjyqësore”, deklaroi Damati.
Ai theksoi se gjatë gjithë periudhës së gjykimit, mbrojtja ka marrë pjesë në të gjitha seancat, ndërsa rasti, sipas tij, nuk është trajtuar siç duhet nga gjykata në faza të caktuara.
Në anën tjetër, avokati Burim Halili, që përfaqësonte Haxhiun, sqaroi se veprimet e ndërmarra nga deputetët në atë kohë kishin karakter politik dhe nuk arritën asnjëherë të provoheshin si vepra penale.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, përfshirë edhe rigjykimin, prokuroria nuk arriti të dëshmojë fajësinë. Rasti u zvarrit ndër vite dhe përfundimisht rezultoi me vendim lirues për zonjën Haxhiu dhe të tjerët”, u shpreh Halili.
Sipas tij, ngjarjet në Kuvend në atë kohë lidhen me kundërshtimin e procesit të Asociacionit, ndërsa ndalimet dhe dyshimet e ngritura nuk u mbështetën me prova të mjaftueshme për përgjegjësi penale.
Me këtë vendim mbyllet një nga rastet më të gjata dhe më të diskutueshme në skenën politike dhe juridike në Kosovë, që lidhej me përdorimin e gazit lotsjellës brenda Kuvendit./lajmi.net/