Pas largimit të Escobar dhe Lajçak, Serwer: SHBA dhe BE dështuan në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë

Njohësi i çështje të Ballkanit Perëndimor, profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer ka publikuar një analizë për dështimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe tërheqja e dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak. Ai në një postim në platformën “X”, ka treguar një analizë të gjerë për dështimin e procesit të dialogut, dhe…

Lajme

10/05/2024 11:34

Njohësi i çështje të Ballkanit Perëndimor, profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer ka publikuar një analizë për dështimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe tërheqja e dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

Ai në një postim në platformën “X”, ka treguar një analizë të gjerë për dështimin e procesit të dialogut, dhe përpjekjet e perëndimit për ta afruar Serbinë afër saj, por duke theksuar se kjo është bërë në dëm të Kosovës, dhe rezultatet kanë qenë të këqija, raporton lajmi.net.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Escobar dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak, të dy me mandate për Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, po japin lamtumirën e tyre në Uashington këtë javë. Bëhet fjalë për dy diplomatë me përvojë që e njohin mirë Ballkanin. Ata kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Çështja më e madhe e dukshme ka qenë mbështetja amerikane për “Ballkanin e Hapur”, një skemë për lehtësimin e tregtisë. Evropianët me të drejtë e panë atë si të panevojshme dhe dyfishuese të përpjekjeve të tyre në atë që njihet si “procesi i Berlinit”.

Por Lajçak dhe Escobar nuk arritën të prodhonin normalizimin politik mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e bënë prioritetin e tyre kryesor.”

“Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar.”-ka thënë Serwer në “X”.

“Prishtina ishte përkushtuar ndaj Asociacionit në një marrëveshje të Brukselit të vitit 2013. Por Escobar dhe Lajçak neglizhuan që Beogradi të jepte kuid pro quo.”- shtoi Serwer.

“Beogradi më pas kaloi në ofensivë”, kështu tha profesori amerikan.

“E frustruar me dështimin e BE-së dhe SHBA-së për të ofruar Asociacionin, Serbia vitin e kaluar vendosi t’i përkeqësojë gjërat. Ajo rrëmbeu dy policë të Kosovës nga territori i Kosovës, mori me qira një turmë për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s brenda Kosovës dhe organizoi një sulm terrorist që supozohej të jepte justifikimin për një ndërhyrje ushtarake serbe.”-shtoi ai.

Profesori amerikan më tej tha se politika perëndimore në Serbi nuk po funksionon dhe Uashingtoni  e Brukseli nuk po bëjnë shumë më mirë me Kosovën.

“Është e qartë se politika perëndimore ndaj Serbisë nuk po funksionon. Uashingtoni dhe Brukseli nuk po bëjnë shumë më mirë me Kosovën. Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në natyrë. Vuçiq nuk është në gjendje ta bëjë këtë.”- përfundoi Serwer. /Lajmi.net/