Pas gati 27 vitesh pritjeje, gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Pas 26 vitesh e 10 muajsh pritjeje dhe ankthi, familja Koci nga Gjakova ka marrë lajmin e dhimbshëm, por njëkohësisht lehtësues, për gjetjen e trupit të pajetë të Rasim Mehmet Kocit, i lindur më 1957, i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 gjatë luftës në Kosovë. Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga…

Lajme

27/01/2026 12:44

Pas 26 vitesh e 10 muajsh pritjeje dhe ankthi, familja Koci nga Gjakova ka marrë lajmin e dhimbshëm, por njëkohësisht lehtësues, për gjetjen e trupit të pajetë të Rasim Mehmet Kocit, i lindur më 1957, i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga forcat serbe në afërsi të fshatit Osek Hylë, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur, duke e lënë familjen për gati tri dekada në pasiguri për fatin e tij, transmeton lajmi.net.

Pas identifikimit të mbetjeve mortore, autoritetet kanë njoftuar se trupi i tij do t’i dorëzohet familjes të premten, më 30 janar 2026, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë dhe të dhimbshme.

Familja Koci është një ndër familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë. Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka humbur edhe dy anëtarë të tjerë, Afrim Idriz Kocin dhe Besim Idriz Kocin, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.

Homazhet për viktimën e luftës, Rasim Mehmet Koci, do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë. Varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat.

Familja Koci ka ftuar qytetarët, institucionet dhe mediat që të marrin pjesë në nderimin e jetës, sakrificës dhe kujtimit të martirëve të saj./lajmi.net/