Pas dështimeve për konstituim të Kuvendit, Murati i mëson pak edhe gazetarët si ta bëjnë punën e tyre: Akuza mund të ketë por ju duhet të paraqitni të vërtetën
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati sot pas dështimit të 36-të për konstituimin e Kuvendit është deklaruar për media në lidhje me akuzat e vazhdueshme që po i bëjnë partitë njëra tjetrës në lidhje me bllokadën në Kuvend. Ai me këtë rast i ka mësuar pak edhe gazetarët se si ta bëjnë punën e…

Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati sot pas dështimit të 36-të për konstituimin e Kuvendit është deklaruar për media në lidhje me akuzat e vazhdueshme që po i bëjnë partitë njëra tjetrës në lidhje me bllokadën në Kuvend.
Ai me këtë rast i ka mësuar pak edhe gazetarët se si ta bëjnë punën e tyre, shkruan lajmi.net.
“Akuza dhe kundërakuza mund të ketë, por ju si media do të duhej të mos kufizoheni vetëm në akuza e kundër akuza. Nëse dikush thotë se po rrezon dielli sot, e sot dikush po bie shi nuk mund që të dyja të paraqiten si të vërteta. E vërteta duhet të mbizotëroj pasi që mund të ketë edhe akuza”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se dështimi në konstituimin e Kuvendit po gjeneron edhe pasoja e sipas tij një ndër to është edhe marrëveshja me Bankën Botërore si dhe investimi në parkun solar në KEK, e të cilat Murati thotë se opozita nuk i ka votuar as në legjislaturën e kaluar.
“Po e shohim që tashmë moskonstituimi i Kuvendit do të gjeneroj edhe pasoja, unë sot e shpalosa vetëm njërën ndër to e që është marrëveshja me Bankën Botërore që pret që prej vitit të kaluar ratifikimin në Kuvend. Edhe njëherë kjo e dëshmon që nuk bëhet fjalë vetëm për një emër të përveçëm siç po pretendon opozita por bëhet fjalë për një bllokadë të vazhdueshme edhe gjatë legjislaturës së kaluar kur refuzonin marrëveshjet e kaluara. Nëse tani qenka problem konstituimi për shkak të një emri të përveçëm cili ka qenë problemi legjislaturën e kaluar kur Kuvendi ishte funksional, por opozita refuzonte të merrte pjesë në votim por votonin kundër marrëveshjeve ndërkombëtare. Është edhe një marrëveshje tjetër që pret, që është investimi në parkun solar në KEK, pra përderisa një marrëveshje me Bankën Investive me Bankën Evropiane ishte votuar, pjesa tjetër e marrëveshjes së financimit për projektin 100 megavatësh për parkun solar në KEK ka mbetur pezull i mosvotimit nga opozita gjatë legjislaturës së kaluar”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se ata kanë ofruar marrëveshje politike me LDK-në por që sipas tij kjo parti nuk po pranon një marrëveshje pa qenë pjesë edhe PDK e që sipas tij PDK ka nevojë për “reforma” edhe për një mandat.
Murati gjithashtu ka thënë se në Kuvend për Albulena Haxhiun duhet të votohet në mënyrë të fshehtë.
“Duhet ta kemi votimin e fshehtë. Sepse deputet duhet të jenë të lirë ta shprehin vullnetin e tyre. Pse ka kaq shumë mosbesim ndaj votimit të tyre? Sa u thonë edhe ua fotografojmë votën. Le të konsumohet votimi i fshehtë njëherë”, tha ai.