Pas ankesave, KESCO del me sqarim për faturat e rrymës në muajin shkurt

KESCO njofton që nga e premtja (18 shkurt) ka filluar me leximin e rregullt të gjendjes së konsumit për muajin shkurt dhe respektivisht dërgimin e faturave të reja.

Lajme

22/02/2022 17:59

“Ashtu siç e kemi shpjeguar në komunikatën e kaluar, shpenzimi është llogaritur dhe ndarë para datës 9  shkurt (çmimi i vjetër) dhe nga data 9 shkurt (tarifat e reja)”, thuhet në komunikatën e KESCO, shkruan lajmi.net.

KESCO sqaron se dizajni i faturës i aprovuar nga ZRRE, i është përshtatur nevojave të faturimit sipas ndryshimeve të strukturës së re tarifore.

“Kalkulimet sipas blloqeve, paraqiten sipas leximit të rregullt dhe strukturës së re të aprovuar. Gjithashtu, konsumatorët në rubrikën  “Neto” e kanë të paraqitur shpenzimin total. Megjithatë, për shkak se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më datën 9 shkurt dhe pjesa e shpenzuar para datës 9 shkurt llogaritet me tarifat e vjetra, në rubrikën “Totali i faturës” paraqitet obligimi që konsumatorët e kanë për pagesë dhe e njëjta është më e ulët sesa vlera e paraqitur te rubrika ‘Neto’”, thuhet tutje në komunikatë.

“Nga faturat e ardhshme llogaritja do të jetë shumë më e thjeshtë dhe meqenëse i tërë muaji do të bëhet sipas tarifave të reja, vlerat ndërmjet rubrikave ‘Neto+TVSh’ dhe ‘Totali i faturës’ do të jenë të barabarta”, thuhet tutje në sqarim.

“Për ta bërë sa më të lehtë leximin e faturës dhe logjikën e kalkulimit, në ueb-faqen e KESCO-s është integruar forma e kalkulimit ku konsumatori do të vendos të dhënat, me ç’rast do t’i gjenerohet kalkulimi në detaje i faturës së fundit duke përfshirë ndarjen e kilovatëve para dhe pas 9 shkurtit, kalkulimi i secilit kilovatë me çmimin përkatës, si dhe shuma e kilovatëve të faturuar në bllokun me tarifa të ngritura”, thotë KESCO. /Lajmi.net/