Partitë politike harrojnë personat me aftësi të kufizuara
Personat me aftësi të kufizuara përballen me probleme të mëdha gjatë procesit të votimit. Sipas të gjeturave të shoqatës Hendikos, kjo kategori gjatë ditëve të fushatës ka qenë e harruar nga partitë politike.
Lajme
Personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me probleme të mëdha gjatë procesit të votimit.
Sipas Afrim Maliqit, drejtor i Shoqatës së Personave më Aftësi të Kufizuar “Hendikos”, kjo kategori përballet me probleme si me hapësirat e ngushta në qendrat e votimeve, transporti etj.
Maliqi të enjten në një konferencë për media të organizuar në bashkëpunim me Demokracinë në Veprim, tha se nga 6 ditët e fushatës, shumë pak parti kanë përmendur çështjen e personave më aftësi të kufizuara.
“Deri më tash i kemi rezultatet për 6 ditë ku shihet se përshtatshmëria e parë apo qasja e personave me aftësi të kufizuara deri në vendvotime është e vështirë, për shkak se nuk krijon kushte të mjaftueshme fizike. Gjithashtu nuk ka as tualete të përshtatshme nuk ka pjerrina apo rampa të përshtatshme sipas standardeve që personat me aftësi të kufizuar të hynë lirshëm në këto objekte ku bëhet votimi”.
“Është një numër jashtëzakonisht i vogël nga partitë politike, që përmendin çështjet që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara”.
“Transporti nga 141 ngjarje, të cilat janë përfshirë deri tash, vetëm në 5 ngjarje i është ofruar nga ndonjë subjekt politik” .
“Ne 83 ngjarje, nuk do të kenë qasje personat me aftësi të kufizuara të jenë në ditën e votimeve, ndërsa në 52 po”.
“Në ngjarje deri tash vetëm 3 folës kanë qenë me aftësi të kufizuar dhe kanë marrë pjesë vetëm 63 persona me aftësia të kufizuara”.
“Vetëm në një ngjarje ka pas komunikim apo gjuhë të shenjave për të shurdhëritë, ndërsa nuk ka pas materiale për të verbrit apo në gjuhën e Brait”, tha Maliqi.
Ndërkaq Valmir Isamili, Koordinator i Sekretariatit të Demokracisë në Veprim, tha se ata do të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqatën e personave me aftësi të kufizuara. Ismaili tha se KQZ, duhet që të ofrojë kushte të barabarta për votim edhe për kategori.
“Ndikimi së paku të jetë për zgjedhjet e ardhshme, ku KQZ, në të ardhmen do të marrë masa që ti ofrojë qasje të barabartë edhe personave me aftësi të kufizuara”, tha Ismaili.