Partitë opozitare i thanë “po” ftesës së Osmanit për takim, nga VV nuk u deklaruan ende – A pritet të konstituohet Kuvendi pas 15 majit?

Një muaj pasi është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, e pas saj deri sot janë mbajtur plotë 14 sosh, më 15 maj të gjitha partitë politike pritet të ulen bashkë në një takim të udhëhequr nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani i ka ftuar krerët e partive politike, që të…

Lajme

12/05/2025 19:09

Një muaj pasi është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, e pas saj deri sot janë mbajtur plotë 14 sosh, më 15 maj të gjitha partitë politike pritet të ulen bashkë në një takim të udhëhequr nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani i ka ftuar krerët e partive politike, që të enjten të mbajnë një takim konsultativ, i cili ka ardhur pas ngërçit politik që është shkaktuar tash e pothuajse një muaj.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka thënë këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina për lajmi.net.

Lajmi.net menjëherë ka kontaktuar me partitë politike në vend, për të marrë përgjigje nëse do të marrin pjesë në këtë takim, dhe deri tani vetëm nga Vetëvendosje nuk janë deklaruar ende.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu e ka konfirmuar për lajmi.net se kryetari i partisë, Memli Krasniqi do të marrë pjesë në takim.

“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, ka thënë ai.

Se kreu i parties së tyre do të marrë pjesë në këtë takim, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi I AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Po kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, ka thënë Xhemaili për lajmi.net.

Në këtë takim do të marr pjesë edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Po e kemi pranuar ftesën dhe kryetari Abdixhiku do të marr pjesë në takim”, ka thënë deputeti dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ftesa për takim nga Presidentja Vjosa Osmani, ka ardhur pasi për 14 herë radhazi ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Ky dështim, ka ardhur pasi deputetët nga opozita janë deklaruar në vazhdimësi se nuk do ta votojnë kandidaten e VV-së për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, të cilën e kanë parë si “figurë përqarëse”.

Pavarësisht kësaj, nga Lëvizja Vetëvendosje po vazhdojnë të propozojnë kandidaten e njëjtë duke u thirrur në të drejtën e tyre si parti fituese për të propozuar emrin e kryekuvendares.

Meqë Albulena Haxhiu nuk i merte votat në asnjë mënyrë, Lëvizja Vetëvendosje, saktësisht kryesuesi i seancës, Avni Dehari i cili vjen nga kjo parti ka propozuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë. Por, as kjo nuk kaloi, shkruan lajmi.net

Partitë nuk pranuan që të bëheshin pjesë e një komisioni të tillë duke thënë se ky ndryshim ishte shkelje e Kushtetutës.

Madje pikërisht këtë, sot në Kushtetuese e çoi AAK-ja, ku është kërkuar interpretim i Gjykatës Kushtetuese.

Vetëvendosje i bëri ftesë publike për koalicion LDK-së, por kjo e fundit refuzoi.

Lumir Abdixhiku si kryetar i LDK-së propozoi një qeveri të tranzicionit ku do të mblidheshin të gjitha partitë shqiptare në Kosovë.

Por as ky propozim nuk mori përgjigje pozitive.

Seanca e radhës konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër, me 13 maj nga ora 10:00, por bazuar në deklaratat e fundit të deputetëve dhe krerëve të partive nuk duket se kjo seancë do të ketë ndonjë rezultat pozitiv.

Tani mbetet të shihet nëse takimet me presidenten Osmani do të japin ndonjë shenjë përmirësimi të situatës dhe zhbllokimit të saj. /Lajmi.net/