“Partitë janë shndërruar në tarafe” – Krasniqi për manipulimet e votave brenda subjekteve politike

Analisti politik Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj rasteve të dyshuara të manipulimit të votave brenda partive politike, të cilat po dalin në pah gjatë procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputet. Ai e ka cilësuar këtë dukuri si një formë të “vjedhjes vëllazërore”, duke theksuar se bëhet fjalë për përplasje dhe keqpërdorime mes…

Lajme

17/01/2026 16:24

Analisti politik Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj rasteve të dyshuara të manipulimit të votave brenda partive politike, të cilat po dalin në pah gjatë procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputet.

Ai e ka cilësuar këtë dukuri si një formë të “vjedhjes vëllazërore”, duke theksuar se bëhet fjalë për përplasje dhe keqpërdorime mes anëtarëve të së njëjtës parti. Sipas Krasniqit, ky fenomen është tregues i një krize të thellë politike dhe morale që i ka kapluar partitë, transmeton lajmi.net.

Në një reagim publik në Facebook, ai ka shkruar se “vjedhja ‘vëllazërore’ e votave ndërmjet anëtarëve të së njëjtës parti fsheh krizën e thellë politike e morale të atyre subjekteve”, duke shtuar se ato po shndërrohen në “tarafe e grupe interesi, pa ideologji të përbashkët dhe pa ideale kombëtare”.

Krasniqi ka theksuar se vetëm një reformë rrënjësore e ligjeve për partitë politike dhe zgjedhjet mund të ndalë, siç e quan ai, “kalbëzimin e mëtejshëm” të sistemit. Ai ka propozuar që parimi “një votues, një votë” të jetë baza e reformës, së bashku me organizimin e zgjedhjeve në zona zgjedhore dhe heqjen e vendeve të garantuara në Kuvend.

Postimi i plotë: 

Vjedhja “vëllazërore” e votave ndërmjet anëtarëve të së njëjtës parti, fshehë krizen e thellë politike e morale të atyre partive. Me sa shihet janë shndërruar në tarafe, grupe interesi, pa ideologji të përbashkët, pa ideale kombëtare. Vetëm ndryshimi rrënjësor i ligjeve për partitë e zgjedhjet mund ta shmang kalbëzimin e mëtejshëm. Formula “një votues një votë” duhet të jetë në themel të ndryshimit. E dyta, organizimi në zona zgjedhore. E treta, heqja e vendeve të garantuara./lajmi.net/