“Partia ka nevojë për një lidership me qasje ekipore” – Postimi i Hotit që ‘çoi peshë’ strukturat e LDK-së, nënkryetarët mbështesin Abdixhikun
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti trazoi sot rrjetin me një postim në Facebook duke thënë se LDK-ja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të mendojë për lidership të ri. Strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kundërshtuar deputetin Avdullah Hoti, i cili tha të martën se LDK-së i duhet një lidership i ri. Nënkryetarët e…

Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti trazoi sot rrjetin me një postim në Facebook duke thënë se LDK-ja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të mendojë për lidership të ri.
Strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kundërshtuar deputetin Avdullah Hoti, i cili tha të martën se LDK-së i duhet një lidership i ri.
Nënkryetarët e kësaj partie, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri dhe sekretari Imri Ahmeti kanë deklaruar se ky qëndrim është “qesharak dhe i pakuptimtë”.
Gazmend Muhaxheri është shprehur kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryesisë së LDK-së pas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit.
Ai tha se nuk ka kuptim që të shkarkohet dikush që e rriti partinë për 70%.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku? Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë, jo kur e rritë. Nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai për rtv21.
Ndërkaq nënkryetari Lutfi Haziri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë së saj.
Ai ka shkruar se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka ardhur nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik, e që sipas tij ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri në Facebook. .
Tutje, deklaratën të pakuptimta dhe qesharake të Hotit e ka quajtur edhe sekretari i LDK-së Imri Ahmeti.
Ai tha se është kërkesë për PR dhe jo reale dhe se lidershipin e LDK-së e kanë të zgjedhur për një kohë të gjatë.
“Është kërkesë më tepër për PR politik, se sa kërkesë reale, në fakt edhe qesharake. Janë strukturat e partisë, është Kuvendi, Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe kur të dojë ai dhe kur të dojë shumica e këtij Këshilli, këtij Kuvendi, mund të organizohet një kuvend i tillë. Mendoj që lidershipin e LDK-së e kemi të zgjedhur për një kohë të gjatë dhe nuk e kemi asnjë lloj kontesti. Individët janë individë”, tha Ahmeti për Blic.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në reagimin e tij, i ka renditur edhe disa arsye se pse duhet të vjen lidershipi i ri në parti.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, tha Hoti.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë”.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë”, shkroi mes tjerash Hoti.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, është renditur e treta, duke marrë 171 mijë e 357 vota, apo 18.27 për qind./Lajmi.net/