Partia e re e Tadicit shtrihet edhe në Kosovë

Ish Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, si kryesues i Këshillit Inicues të partisë së re të Tadicit për Kosovën, ka thënë se individë nga të gjitha komunat e Kosovës po e braktisin Partinë Demokratike për të aderuar në partinë e Re Demokratike.

Lajme

11/02/2014 14:42

Partia e re e ish Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, është duke u shpërndarë në Kosovë.

Partia e Re Demokratike të cilën e formoi para disa ditësh Tadic raportohet se ka arritur t’i marrë shumë këshilltarë të zgjedhur komunalë Partisë Demokratike në të cilën aderonte dhe të cilën Tadic e ka drejtuar për shumë vjet.

Kjo parti tashmë ka themeluar Këshillin Inicues në të gjitha komunat ku banojnë serbët në Kosovë.

Ish Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, si kryesues i Këshillit Inicues të kësaj partie për Kosovën, ka thënë se individë nga të gjitha komunat e Kosovës po e braktisin Partinë Demokratike për të aderuar në partinë e Re Demokratike.

“Partinë Demokratike e kanë braktisur kolektivisht këshillat komunale në Klinë, Obiliq, Lipjan si dhe shumica e anëtarëve në Gjilan dhe kanë kaluar në Partinë e re Demokratike të Boris Tadicit”, ka thënë Bogdanovic.

Sipas tij, në Partinë e Re Demokratike janë bashkuar edhe anëtari i Këshillir Drejtues dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Branko Ninic si dhe anëtarët tjerë Goran Dancetovic dhe Milivoje Ribac.