Partia e Gurevskit kopjon opozitën, vendos tenda përpara parlamentit
Në Maqedoni, partia në pushtet e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, pas përfundimit të mitingut të mbrëmshëm në Shkup, ka vendosur tenda përpara Parlamentit, duke kopjuar skenarin e opozitës, e cila po vazhdon të qëndrojë para Qeverisë, siç është thënë deri në dorëheqjen e “Qeverisë Gruevski”.

Lajme
Mbështetësit e Gruevskit, që janë organizatorët e këtij aktiviteti, janë shprehur se do të qëndrojnë para dyerve të Parlamentit të Maqedonisë për të mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e shumicës së votuesve.
Siç njofton INA, përkrahësit e VMRO-DPMNE-së janë zotuar se do të qëndrojnë aty derisa të evitohet rreziku i interesave shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë, e që siç kanë thënë ata, po kërcënohet nga partia opozitare LSDM-ja dhe financuesi i saj, Fondacioni SOROS.

“Nuk do të tërhiqemi, nuk do të përkulemi, Maqedonia është e fuqishme, Maqedonia është e vendosur. Zoran Zaev asnjëherë nuk do të bëhet kryeministër. Ai, madje nuk do të marrë besimin as si prefekt i qytetit të Strumicës. Afera e tij e përgjimeve është inskenim me ndihmën e shërbimeve të huaja. Bisedat janë të montuara, këtë të gjithë e kanë të qartë, kjo dëshmohet nga masiviteti i tubimit të sontëm“, ka deklaruar mbrëmë Gruevski në kontramitingun e organizuar nga partia e tij, duke përjashtuar çdo mundësi për të dhënë dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Të dielën, është mbajtur protesta e opozitës, më e madhja që ka njohur ndonjëherë Maqedonia, derisa qindra simpatizantë të Lidhjes Social-demokrate vazhdojnë të qëndrojnë në tenda përpara Qeverisë. Kreu i opozitës, Zoran Zaev ka thënë se tërheqje nuk do të ketë deri në dorëheqjen e Qeverisë Gruevski, që sipas tij, me korrupsion dhe inskenim të incidenteve ndëretnike, e ka sjellë Maqedoninë buzë greminës. /lajmi.net/
