Paris Saint-Germain më Special se Chelsea

Paris Saint-Germain mposhti Chelsean 3:1 në ndeshjen e tyre të parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke krijuar avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit në Stamford Bridge. Gjiganti francez doli më Special se ekipi i Jose Mourinhos.

Sport

02/04/2014 21:41

Edhe pse mund të jetë së paku për një mbrëmje, Paris Saint-Germain është më Special se skuadra që udhëhiqet nga një trajner i tillë, Chelsea.

Gjiganti francez shënoi fitore 3:1 ndaj Blues në duelin e tyre të parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ezequiel Lavezzi kaloi vendasit në epërsi herët në minutën e katërt mirëpo Blues barazuan shifrat në minutën e 27-të me golin e mesfushorit Eden Hazard nga penalltia.

Ylli belg mund ta dërgonte Chelsean në pushim në epërsi, por qëlloi shtyllën para përfundimit të pjesës së parë. Pas saktësisht një ore lojë, PSG riktheu avantazhin kur pas një harkimi nga Lavezzi nga një goditje e lirë, mbrojtësi David Luiz në mënyrë të pafat e dërgoi topin në portën e portierit të tij Petr Cech.

Një lajm i keq për PSG-n është lëndimi i sulmuesit kryesor Zlatan Ibrahimovic i cili doli nga loja në minutën e 69-të duke ia liruar vendin Lucas Mouras.

Krejt në fund, PSG realizoi edhe një herë nëpërmjet Javier Pastores duke krijuar avantazh të konsiderueshëm prej dy golash para ndeshjes së kthimit në Stamford Bridge.