Parashutistët serbë në kufi/ KFOR-i thotë se ishin të informuar për aktivitetin e tyre, ndryshe nga Kurti thonë se s’kjo s’përbën kërcënim
Dje gjatë ditës, ushtria e Serbisë, ka zhvilluar ushtrime afër kufirit me Kosovën, saktësisht në fshatin Muhovc të Serbisë. Këto ushtrime të cilat paraqitën shqetësim për qytetarët e Kosovës e sidomos ata të Gjilanit që ndodheshin afër kufirit, sipas KFOR-it i cili ndodhet për mision paqeruajtës në Kosovë, ata ishin të njoftuar. KFOR në një…
Lajme
Dje gjatë ditës, ushtria e Serbisë, ka zhvilluar ushtrime afër kufirit me Kosovën, saktësisht në fshatin Muhovc të Serbisë.
Këto ushtrime të cilat paraqitën shqetësim për qytetarët e Kosovës e sidomos ata të Gjilanit që ndodheshin afër kufirit, sipas KFOR-it i cili ndodhet për mision paqeruajtës në Kosovë, ata ishin të njoftuar.
KFOR në një përgjigje për lajmi.net ka konfirmuar se ishin njoftuar që Forcat e Armatosura të Serbisë, do të zhvillonin një aktivitet të planifikuar stërvitor në Muhovc në Serbi. Ata kanë thënë se ky aktivitet nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon.
“KFOR konfirmon se ishte i njoftuar që Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF) do të zhvillonin një aktivitet të planifikuar stërvitor, që përfshinte parashutistë të dislokuar nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i zhvilluar brenda territorit të Serbisë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon”, kanë thënë nga KFOR.
Ata kanë thënë se po e monitorojnë vazhdimisht situatën përgjatë Vijës Administrative Kufitare dhe në të gjithë Kosovën.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Administrative Kufitare dhe në gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë”, kanë thënë nga KFOR për lajmi.net.
Në lidhje me mandatin e KFOR-it, ata kanë thënë se mbeten plotësisht të përkushtuar për ta zbatuar atë.
“KFOR mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij—bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999—për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm (SASE) dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e KFOR-it për lajmi.net.
Në lidhje me këto ushtrime, sot ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se është një provokim i Serbisë që dëshiron ta cenoj integritetin territorial të Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Bëhet fjalë për njësi që kanë trajnuar kryekriminelin Milan Radojiciq në Banjskë për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku por edhe tregon edhe pafuqinë e tyre sepse në Kosovë s’ka më struktura ilegale që mund të cenojnë sovranitetin, integritetin, paqen për të gjithë. E nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka tentojnë që të demostrojnë forcën aty përreth kufijve”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ky është një provokim dhe për këtë i kanë shkruar dhe Bashkimit Evropian.
“Është provokim dhe për këtë i kemi shkruar tanimë edhe Bashkimit Evropian, por forcat tona janë të përgatitura e kufiri ynë është i mbrojtur e këtë e bëjmë me FSK-në Policinë e me AKI-në e me KFOR-in. Në njërën anë është e vërtetë që demostrojnë destruktivitet e agresivitet, por shprehja e frikës dhe pafuqisë së tyre se Kosova është më e fortë se kurrë e se s’mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë e çfarë dëshirash nuk iu tretën ende”, ka thënë Kurti.
I shqetësuar për këto ushtrime është shprehur dje edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai ka thënë se këto stërvitje që janë zhvilluar pranë kufirit me Kosovën, afër Komunës së Gjilanit janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët si dhe krijojnë ndjenja pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Një stërvitje ushtarake e pazakontë u zhvillua dje gjatë orëve të mëngjesit nga ushtria e Serbisë pranë vijës kufitare me Kosovën, duke shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës në brendësi të Kosovës.
Gjatë stërvitjes, një helikopter lëshoi rreth 6 parashutistë në zonën e Breznicës, ndërsa helikopteri tjetër ka vazhduar drejt Muhovcit dhe Karaqevës, ku janë lëshuar parashutistë të tjerë.
Dy helikopterë kanë qarkulluar në këtë hapësirë, duke bërë disa xhiro përgjatë kufirit, ndërsa një banor tha se helikopterët kanë hyrë edhe në territorin e Kosovës.
Policët thanë se një aktivitet i tillë pranë kufirit është i jo i zakonshëm dhe nuk është zhvilluar më parë. /Lajmi.net/