Paralajmërimi për rritjen e çmimit të naftës nuk mirëpritet nga qytetarët

Situata në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në Kosovë, sipas kryetarit të naftëtarëve, Fadil Berjani. Ministria e Tregtisë njofton se po monitoron situatën dhe çdo ngritje të çmimeve të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë do të vlerësohet me kujdes. Situata e fundit në Lindjen e Mesme, sipas kryetarit…

Lajme

02/03/2026 20:43

Situata në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në Kosovë, sipas kryetarit të naftëtarëve, Fadil Berjani. Ministria e Tregtisë njofton se po monitoron situatën dhe çdo ngritje të çmimeve të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë do të vlerësohet me kujdes.

Situata e fundit në Lindjen e Mesme, sipas kryetarit të shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, ndikon drejtpërdrejt në tregjet e naftës. Sipas tij, vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë dhe se çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët.

“Në vendin tonë s’ka nevojë për panik. Krizë të derivateve të naftës do të jetë në terë globin. Shpresoj dhe besoj importuesit tanë, do ta bëjnë më të mirën e cila është që qytetarët tonë, të furnizohen me derivate me çmime reale”, tha Fadil Berjani, kryetar i shoqatës së naftëtarëve.

E paralajmërimin për mundësinë e lëvizjes së çmimeve, vozitësit nuk po e mirëpresin.

“Gjithherë po bohet kështu, sa here po kris dikun, menjëherë çmimet po shkojnë në qiell”, thotë qytetari.

E nuk po e mirëpresin sidomos ata që merren edhe me bujqësi.

“Edhe për bujqësi edhe për të gjitha punët e rrisin koston e mbijetesës”, theksoi tjetri qytetar.

Përmes një komunikate për medie, ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, në të cilën thuhet se është duke u monitoruar me vigjilencë të shtuar rritja e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës. Sipas MINT, Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme.

“Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës, ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, është thënë në komunikatë./rtk