Paralajmërimet për rritjen e çmimit të rrymës, Haradinaj: Goditje për qytetarin kjo qeveri është e rrezikshme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin aktual Albin Kurti se e ka shkatërruar sektorin e energjisë me “vendimet e papërgjegjshme”. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kurti “me krenari” e ka anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri. “Albin Kurti e shkatërroi sektorin…

Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin aktual Albin Kurti se e ka shkatërruar sektorin e energjisë me “vendimet e papërgjegjshme”.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kurti “me krenari” e ka anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri.
“Albin Kurti e shkatërroi sektorin e energjisë me vendimet e tij të papërgjegjshme. Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Po ashtu ai thotë se Qeveria e ka goditur qytetarin me rritjen e çmimit të rrymës, ku sipas tij kjo qeveri është e paaftë dhe e rrezikshme.
“Sot, përballë krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve të çdo produkti jetik, Qeveria e godet edhe një herë qytetarin me rritjen e çmimit të rrymës. Paralajmërimi i ZRrE-së për shtrenjtim prej 15% nga 1 prilli është një goditje e rëndë për mirëqenien e familjeve kosovare dhe për ekonominë e vendit. Kjo qeveri është e paaftë dhe e rrezikshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët, e jo që i dëmton ata”, shkroi Haradinaj. /Lajmi.net/