Paralajmërim për manipulim, video të rreme me AI pushtojnë rrjetet para zgjedhjeve

Organizata Hibrid.info ka paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes ndaj videove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas organizatës, ditëve të fundit në TikTok janë publikuar video të manipuluara ku shfaqen kinse gazetarë duke intervistuar mërgimtarë në aeroport për kë…

Lajme

03/12/2025 12:47

Organizata Hibrid.info ka paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes ndaj videove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas organizatës, ditëve të fundit në TikTok janë publikuar video të manipuluara ku shfaqen kinse gazetarë duke intervistuar mërgimtarë në aeroport për kë do të votojnë.

Gjatë një takimi informues me gazetarë, hulumtuesi i lartë në Hibrid.info, Festim Rizanaj, tha se shqetësimi kryesor është ndikimi i madh që këto video po arrijnë për shkak të shpërndarjes së gjerë.

“Problemi është se këto video po dëgjohen shumë, por nuk po verifikohet nëse janë të vërteta. Shumë qytetarë po mashtrohen nga përmbajtjet e gjeneruara me AI”, deklaroi Rizanaj, duke shtuar se Hibrid.info ka identifikuar disa mënyra të thjeshta për t’i dalluar videot e krijuara artificialisht.

Ndërkaq, hulumtuesja Hyrije Mehmeti theksoi se ndikimi i tyre në opinionin publik është i madh, pasi shumë njerëz i marrin për të mirëqena. Sipas saj, kjo është hera e parë që në një proces zgjedhor në vend ka shpërthyer publikimi i videove të tilla të manipulimit teknologjik.

Hibrid.info u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë çdo informacion para se ta besojnë apo ta shpërndajnë./kp