Para takimit të Berlinit, Vuçiq do të merr këshilla nga Putini

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen në Kinë tre ditë para Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme

17/04/2019 12:22

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka konfirmuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin, do të takohen më 26 prill në Kinë.

Siç shkruan “Sputnik.rs”, transmeton lajmi.net, Daçiq ka bërë të ditur se ky takim do të jetë në kuadër të Forumit të Dytë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar “Brez dhe Rrugë”, që do të mbahet në Pekin.

Daçiq këtë e ka bërë të ditur në konferencën pas takimit me homologun e rij rus, Sergie Lavrov.

“Marrëdhëniet politike midis Serbisë dhe Rusisë janë shumë të mira, ato janë në nivel strategjik. Vizita e presidentit Putin ishte me rëndësi të jashtëzakonshme. Takimi i presidentit Vuçiq dhe Putin në Samitin në Kinë tashmë është rënë dakord që të jetë më 26 prill në këtë Samit, pak para takimit që do të jetë në Berlin, takim ky i planifikuar nga kancelarja gjermane, Angela Merke dhe presidenti francez, Emmanuel Macron”, ka thënë Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si takimi i Berlinit, do të marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj.

Kurse shteti serb do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq. /Lajmi.net/