Para dhjetë vjetësh kërkonin përgjegjësi nga ministrat për rastin Dehari, sot Sveçla e Gërvalla refuzojnë të dëgjojnë thirrjet e protestuesve për dorëheqje
Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, të cilët para dhjetë vjetësh kërkonin përgjegjësi politike dhe dorëheqje të ministrave pas vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, sot po përballen me thirrje për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Në vitin 2016, Gërvalla kërkonte dorëheqjen e atëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Skender…
Lajme
Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, të cilët para dhjetë vjetësh kërkonin përgjegjësi politike dhe dorëheqje të ministrave pas vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, sot po përballen me thirrje për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Në vitin 2016, Gërvalla kërkonte dorëheqjen e atëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, duke vlerësuar se përgjegjësia politike dhe morale duhej të merrej për mënyrën e trajtimit të rastit të Deharit, transmeton lajmi.net.
“Ministri i Brendshëm dhe ministrja e Drejtësisë me deklaratat e saj qesharake do të duhej të kishin dhënë dorëheqje që para një jave”, kishte shkruar Gërvalla në reagimin e saj të atëhershëm.

Edhe Xhelal Sveçla, atëbotë zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte kritikuar masat e ndërmarra pas vdekjes së Deharit, duke i cilësuar të pamjaftueshme katër suspendimet e bëra në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në një deklaratë për Klan Kosovën më 22 nëntor 2016, Sveçla kishte kërkuar dorëheqjen e dy ministrave.
“Me gjithë atë që ka ndodhur për këto 17 ditë, normalisht se këto katër suspendime janë të pamjaftueshme, e dorëheqja e dy ministrave është e domosdoshme”, kishte deklaruar ai.
Dhjetë vjet më vonë, Gërvalla është ministre e Drejtësisë, ndërsa Sveçla udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të dy po përballen me kërkesa për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë, pasi, sipas raportimeve, kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Rasti ka nxitur protesta para institucioneve të Kosovës, ku qytetarët po kërkojnë drejtësi për Zekajn, sqarimin e rrethanave të rastit dhe përgjegjësi institucionale për neglizhencat e mundshme.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë në Pejë, përfshirë zyrtarë të pozitave të larta komanduese dhe hetues. Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës dhe një prokurore tjetër.
Pavarësisht këtyre masave, protestuesit po kërkojnë edhe përgjegjësi në nivel politik, duke kërkuar dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës. Deri më 29 tetor, të dy ministrat nuk kanë dhënë dorëheqje dhe kanë paralajmëruar një konferencë të përbashkët për media lidhur me rastin.
Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të ministrave, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë për rastin.
“Cila është përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë këtu apo ministri i Punëve të Brendshme?”, kishte pyetur Haxhiu më 26 tetor.
Ajo kishte argumentuar se ministritë kishin krijuar mekanizmat ligjorë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e tyre duhej të shqyrtohej në raport me institucionet përkatëse.
Kështu, deklaratat e mëhershme të Gërvallës dhe Sveçlës për rastin Dehari janë rikthyer në vëmendje në një kohë kur ata, tashmë në krye të dy ministrive, po përballen me kërkesa të ngjashme për përgjegjësi politike pas vrasjes së Arlinda Zekajt./lajmi.net/