Paqueta pranë fitores së madhe pasi hupi transferimin te Man City dhe vendin te Kombëtarja e Brazilit – shkaku i akuzave për baste

Mesfushori i West Ham United, Lucas Paqueta, është pranë një lehtësimi të madh. Sipas raportimeve nga The Times, një panel rregullator i pavarur pritet ta shpallë të pafajshëm brazilianin në lidhje me akuzat për kurdisje të ndëshkimeve me kartonë të verdhë – çështje që e kishte vënë në rrezik serioz karrierën e tij. 27-vjeçari akuzohej…

Sport

27/07/2025 19:28

Mesfushori i West Ham United, Lucas Paqueta, është pranë një lehtësimi të madh. Sipas raportimeve nga The Times, një panel rregullator i pavarur pritet ta shpallë të pafajshëm brazilianin në lidhje me akuzat për kurdisje të ndëshkimeve me kartonë të verdhë – çështje që e kishte vënë në rrezik serioz karrierën e tij.

27-vjeçari akuzohej nga Shoqata e Futbollit (FA) për marrjen e qëllimshme të kartonëve të verdhë në katër ndeshje specifike gjatë sezonit 2022/23 dhe 2023/24: ndaj Leicester City, Aston Villa, Leeds United dhe Bournemouth.

Sipas FA-së, këto ndëshkime ishin të qëllimshme për të përfituar financiarisht përmes basteve të vendosura nga palë të treta.

Paqueta i ka mohuar kategorikisht akuzat që nga dita e parë, duke theksuar se stili i tij agresiv i lojës e bën atë të prirur për kartonë të verdhë dhe se nuk ka pasur kurrë qëllim për të ndikuar në ndonjë bast. Ai ka bashkëpunuar plotësisht me hetimin, duke dorëzuar të dhëna të plota telefonike, deklarata bankare dhe pajisje personale.

Nëse vendimi i panelit është në favor të tij, FA mund të detyrohet të mbulojë edhe shpenzimet ligjore, që raportohet të kenë arritur deri në 1.18 milionë euro. Një vendim zyrtar pritet brenda javës së ardhshme.

Akuzat ndaj Paquetas kishin pasoja të mëdha edhe jashtë fushës. Verën e kaluar, një transferim i bujshëm prej 95 milionë eurosh te Manchester City dështoi pikërisht për shkak të këtij hetimi.

Gjithashtu, lojtari u tërhoq nga Kombëtarja e Brazilit për t’u fokusuar në mbrojtjen e tij ligjore. Nëse lirohet nga të gjitha akuzat, kjo do të përfaqësonte një rikthim të rëndësishëm për karrierën e tij, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë personal.