Paqeruajtësit holandezë pjesërisht përgjegjës për masakrën e Srebrenicës

Gjykata e Lartë e Holandës la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, se Holanda është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 350 burrave myslimanë të vrarë nga forcat serbe të Bosnjes gjatë masakrës së Srebrenicës në vitin 1995.

Bota

19/07/2019 18:27

Në vendimin e vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte vënë dukje se nëse meshkujt boshnjakë nuk do të ishin evakuar nga baza ushtarake e paqeruajtësve prej forcave holandeze, shanset e tyre të shpëtimit do të ishin rreth 30 për qind. Gjykata e Lartë në vendimin e sotëm, i ul këto shanse në 10 për qind. Vendimi nxiti reagime nga të afërmit e viktimave.

Në vendimin e gjykatës thuhet se trupat holandeze i evakuan meshkujt nga kampi ushtarak i paqeruajtësve, më 13 korrik të vitit 1995 ndonëse e dinin se ata ishin në rrezik të madh për shkak të forcave serbe të Bosnjes.

“Në këtë mënyrë, batalioni holandez u hoqi mundësinë këtyre refugjatëve meshkuj, që të qëndronin larg duarve të serbëve të Bosnjes. Siç vendosi gjykata e apelit, kjo ishte e gabuar, sepse në atë moment holandezët e dinin se ata ishin në rrezik serioz për t’u keqtrajtuar dhe vrarë dhe se duhej bërë çdo gjë për të parandaluar atë”, tha Kees Streefkerk, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Holandës, raporton VOA

Vendimi i jep fund një beteje të gjatë ligjore të filluar nga një grup familjarësh të viktimave, i njohur si “Nënat e Srebrenicës”, për të mbajtur qeverinë holandeze përgjegjëse për vdekjen e anëtarëve të familjes së tyre në masakrën më të rëndë që ka njohur Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të ekzekutuarit ishin në mesin e 5 mijë banorëve të Srebrenicës që ishin strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë. Forcat serbe të Bosnjes komandoheshin nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili u dënua për gjenocid nga një gjykatë e OKB-së për krime të luftës në vitin 2017, për masakrën e Srebrenicës që la 8 mijë burra dhe djem mysliman të vrarë.

Ratko Mlladiç e ka apeluar vendimin.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u jep mundësi familjarëve të viktimave të kërkojnë dëmshpërblim financiar nga qeveria holandeze.

“Përgjegjësia e shtetit kufizohet në 10 për qind të dëmeve të pësuara nga familjarët e mbijetuar të këtyre 350 refugjatëve meshkuj. Këta të afërm të mbijetuar mund të kërkojnë kompensim nga shteti”, tha Kees Streefkerk, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Holandës.

Familjarët e viktimave reaguan të zemëruar me vendimin.

“Po dridhem, jam e befasuar. Por nuk do t’i fal kurrë holandezët. Do ta dërgojmë këtë rast në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut. Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi”, tha pas vendimit Munira Subasiq, anëtare e organizatës “Nënat e Srebrenicës”.

“Ministria e mbrojtjes së Holandës dhe qeveria e tyre është përgjegjëse për gjenocidin në Srebrenicë. Nuk ka rëndësi 1, 10 apo 100 për qind. Ata janë përgjegjës. Vendimi për 10 për qind është hipokrizi, primitivizëm dhe dobësi e tyre”, tha Kada Hotiq familjare e viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Edhe ish pjestari i batalionit holandez, nuk pajtohet me vendimin e gjykatës.

“Nuk mendoj se është e drejtë. Njerëzit bëjnë gabime sikur dhe batalioni holandez. Duhet ta pranojmë. Jemi njerëz, të gjithë gabojmë. Por të thuash se kam bërë gabim por vetëm 10 për qind, nuk është e drejtë”, thotë veterani i batalionit holandez Remko De Bruijne.

Vendimi i gjykatave holandeze shihet si i rëndësishëm për rolin e trupave paqeruajtëse pasi krijon precedentin e përgjegjësisë që mund të mbajnë qeveritë nëse forcat e tyre paqeruajtëse në kuadër të OKB-së, nuk arrijnë të mbrojnë civilët nga konfliktet e armatosura.