Papërgjegjësi dhe improvizim – thirrja e seancës në 22:00 kritikohet ashpër: Vetëvendosje në krizë të thellë politike dhe numerike
Edhe sot dështoi përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tensioni politik sa vjen e rritet. Megjithatë, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thirrur një tjetër seancë për sonte në orën 22:00, që pritet të jetë përpjekja e fundit para hyrjes në pauzën kushtetuese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, transmeton lajmi.net Sipas vendimit…

Lajme
Edhe sot dështoi përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tensioni politik sa vjen e rritet.
Megjithatë, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thirrur një tjetër seancë për sonte në orën 22:00, që pritet të jetë përpjekja e fundit para hyrjes në pauzën kushtetuese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, transmeton lajmi.net
Sipas vendimit të Kushtetueses, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në mesnatë, në orën 00:00. Pas kësaj pike, pritet që deri më 8 gusht të merret një vendim i ri për të qartësuar situatën rreth bllokadës institucionale që ka paralizuar procesin parlamentar.
Në lidhje me seancën e paralajmëruar për në orën 22:00, lajmi.net ka kontaktuar me përfaqësues dhe zyrtarë të partive ish-opozitare – PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – për të kuptuar qëndrimet e tyre për këtë përpjekje të fundit dhe mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje që do t’i jepte fund bllokadës.
Alban Zogaj kritikon thirrjen e seancës në minutat e fundit: “Papërgjegjësi dhe fyerje për të gjithë!”
Përpjekja e Vetëvendosjes për ta konstituuar Kuvendin vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësues të partive opozitare.
Në një prononcim për lajmi.net, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, e ka quajtur thirrjen e seancës për orën 22:00 “të papërgjegjshme dhe fyese”.
“Është tejet e papërgjegjshme dhe fyese thirrja e seancës për në minutat e fundit! Sikur të mos kishin pasur mjaftueshëm kohë deri sot! 53 herë kanë insistuar në diçka që është JOKUSHTETUESE… kjo është papërgjegjësi dhe fyerje për të gjithë!”, deklaroi Zogaj.
Xhavit Haliti: Shpërbërja e Kuvendit ka pasoja – bllokada vjen nga interpretimet e mëhershme të Kushtetueses
Situata politike dhe bllokada për konstituimin e Kuvendit po ngjall shqetësim edhe te ish-zyrtarët e lartë institucionalë. Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se përpjekjet për të siguruar votat do të vazhdojnë, porse rruga drejt shpërbërjes së Kuvendit nuk është pa pasoja.
Sipas tij, kriza aktuale është produkt i interpretimit që Gjykata Kushtetuese i ka bërë çështjeve të tilla në të kaluarën, ndërsa ka kritikuar mënyrën si po menaxhohet debati politik në këtë moment delikat.
“Normalisht që do përpiqen t’i bëjnë votat. Po duket shumë vështirë, por edhe shpërbërja e Kuvendit është me pasoja. Bllokada është pasojë e interpretimeve që Gjykata Kushtetuese i ka bërë në të kaluarën. Tani nëse vendoset me praktikat e pleqnarëve, është keq për autoritetin dhe besueshmërinë e së ardhmes. Debatet e sotme më kanë lënë shije të keqe. Uroj të gjendet zgjidhje!”, u shpreh Haliti.
Pal Lekaj: Vetëvendosje po simulon kontroll në Kuvend – nuk i kanë votat
Thirrja e seancës për orën 22:00 nga Vetëvendosje ka ngjallur reagime të forta nga përfaqësues të partive opozitare. Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për lajmi.net, e ka quajtur këtë lëvizje “taktikë për konsum publik”, duke thënë se VV nuk ka as votat dhe as koordinim politik për ta zgjidhur bllokadën institucionale.
Sipas Lekajt, gjithçka po bëhet për të krijuar një perceptim të rremë të kontrollit në Kuvend, ndërsa realiteti është krejt tjetër.
“Në lidhje me seancën e orës 22:00, që është thirrur në një orar jo të zakonshëm dhe në mënyrë të befasishme, është e qartë se kemi të bëjmë me një tentativë politike të Vetëvendosjes për të krijuar perceptimin se kontrollojnë ende situatën në Kuvend. Por në realitet, kjo duket më shumë si një lëvizje taktike për konsum publik, sesa një përpjekje e sinqertë për të siguruar vendimmarrje. Deri tani nuk ka asnjë sinjal të qartë që VV i ka votat. Përkundrazi, mungesa e koordinimit me partitë opozitare dhe përpjekjet për të improvizuar një seancë natën, vetëm sa thellojnë bindjen se Vetëvendosje është në krizë të thellë politike dhe numerike. Që do të thotë se nuk i kanë votat,” tha Lekaj./lajmi.net/