Paparashikueshmëria kërcënuese
Normaliteti dhe parashikueshmëria janë cilësi në mungesë në katalogun e vlerave politike, si në Kosovë, ashtu edhe në rajon dhe në Perëndim.
Opinion
Blerim Shala:
Ka një mori definicionesh për nocionin/ dukurinë e normalitetit, si në jetën e një individi, ashtu edhe në funksionimin e një shoqërie dhe të një shteti.
I pari që të bie ndërmend është ai që thërret në ndihmë normën/ rregullën si parimin bazë të normalitetit.
Një tjetër përcaktim, që duket se është më i qëndrueshëm dhe më i sakt këtupari, ndër ne (dhe jo vetëm ndër ne, realisht), është ai që normalitetin e ndërlidhë me parashikueshmërinë.
Pra, të qenit normal, qoftë si një individ, apo, edhe si kolektivitet, si shoqëri dhe si shtet, do të thotë të jesh i parashikueshëm.
Parashikueshmëria (si kryetipar i normalitetit), ka realisht domethënin e një gjendjeje të stabilitetit, apo të qëndrueshmërisë.
Ndryshimet janë të mundura, befasitë gjithashtu, por në parim, dihet se çfarë është, në këtë aspekt, gjendja normale.
Ky definicion, ta zëmë, kur flitet për situatën politike në Kosovë, në muajtë e fundit së paku (në mos edhe më shumë), e nxjerr politikën kosovare krejtësisht të paparashikueshme, dhe në vijim të kësaj cilësie, aspak normale.
Që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur (në vitin 2008-të), si të paparashikueshme, apo, në shpërputhje me normën ligjore të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta, kanë dalë të gjitha votimet për pushtetin qendror. Në harkun kohor 2010-2019, kemi pasë katër palë zgjedhje të jashtëzakonshme (mesatarja, pak më shumë se çdo dy vjet), dhe ky fakt me themel e bën të paparashikueshëm politikën kosovare, në atë temën kryesore të organizimit të zgjedhjeve demokratike. Nuk mund të ketë një evolucion i natyrshëm politik në një vend, kur të thuash që nga momenti kur mblidhet Kuvendi i Kosovës dhe kur votohet Qeveria e re, nuk ka kurfarë sigurie që kjo Qeveri do të qëndrojë me mandatin e plotë katërvjeçarë, dhe kur raportet edhe në mes të partnerëve të koalicionit (dhe jo vetëm atë në mes të opozitës dhe koalicionit qeverisës), shquhen me mungesë të besimit, dhe me kërkimin e justifikimit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në anën tjetër, që nga zgjedhjet e para të jashtëzakonshme të vitit 2010-të, zhvillimet paszgjedhore poashtu kanë dalë krejtësisht të pallogaritshme, të pamatshme, të paparashikueshme, jonormale.
Në fushatat parazgjedhore, partitë dhe entitetet politike imponoheshin me qëndrimet e tyre kategorike për variantat e krijimit të pushtetit pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, por pastaj, gjithçka relativizohej, dhe vinin në shprehje kalkulimet nga më të ndryshmet, krejtësisht befasuese.
Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, të 6 tetorit, në shikim të parë së paku, shfaqej me një qartësi të rrallë në politikën kosovare dhe supozohej që kësaj radhe së paku, hesapet janë të njohura dhe gjithçka do të rrjedhë shumë më shpejtë se rëndom.
Sidoqoftë, doli që llogaritë nuk ishin edhe aq të sakta, apo, që thjeshtësia nuk është veçori që mund të përqafohet lehtë dhe masivisht nga ne, në politikë.
Në anën tjetër, edhe Evropa dhe Perëndimi në përgjithësi kanë ndryshuar, viteve të fundit. Aq shumë, saqë thuaja asnjë hulumtim i opinionit publik, për preferencat e votuesve (veçmas ky ka qenë rasti me Brexit-in në Britaninë e Madhe në vitin 2016-të, dhe me zgjedhjet presidenciale në Amerikë, po të njejtin vit), nuk doli i sakt, apo rezultati real i votimeve ishte krejtësisht ndryshe prej matjeve të mëparme të vullnetit të qytetarëve.
Për më tepër, edhe qasja mbizotëruese e qeveritarëve dhe liderëve në shumë shtete Perëndimore, karakterizohet me mungesën e parashikueshmërisë.
Ky tipar tani mbizotëron edhe në Bashkimin Evropian.
Për këtë shkak janë goditur keq pritjet e arsyeshme të qytetarëve të Kosovës për Liberalizimin e vizave, si dhe ato të qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për integrimin e këtyre dy shteteve në BE.
Normaliteti pra, në përgjithësi, është një cilësi në mungesë në atë katalogun e vlerave politike, si në Kosovë, ashtu edhe në rajon dhe çka është më befausese, edhe në Perëndim.
Kur rrjedhat dhe zhvillimet në një shoqëri nuk janë të parashikueshme, nuk shquhen pra me një normalitet dhe qëndrueshmëri, atëherë, pak hapa e ndajnë atë shoqëri, atë shtet dhe madje, një rajon të tërë nga destabilizimi, i cili mund të ketë trajta nga më të ndryshme, ku secila prej tyre është kërcënuese dhe e rrezikshme.
Ky është realiteti sot, këtu dhe në Evropë.