“Panta rei” në përkrahje të komunitetit LGBT (Foto/Video)

“Mirëmëngjesi, çarçaf i ndrydhur si kjo jetë, mirëmëngjesi, mure të shembura si ky shpirt”, ishin këto vargjet e para të një kënge që përçon një kauzë shumë të fuqishme. “Panta rei”, thënia e famshme e filozofit, Herakliti, që do të thotë çdo gjë rrjedh, që Shkumbin Tafilaj zgjodhi si titull për këngën e tij.

ShowBiz

01/02/2016 23:33

Këtë këngë me videklip, Tafilaj e ka promovuar sonte në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Në këtë ambient, ishin vendosur ca tavolina e mbi to ishte nga një vazo e mbushur me flamuj të komunitetit LGBTI, ku bënin që mesazhi i këngës të ishte në secilën tavolinë të të ftuarve, që edhe ata të ishin pjesë e ndryshimit, shkruan KultPlus.

“Ndihem shumë i privilegjuar që një mesazh kaq të rëndësishëm e sjell një prej qyteteve evropiane. Prishtina i drejtohet qytetarisë së regjionit dhe pse jo mbarë Evropës e cila e ka një problematikë të tillë në konceptin e pranimit të komunitetit LGBTI përmes një projekti tejet serioz të punuar gjatë dhe të mbështetur nga partnerë serioz”, ka thënë këngëtari Shkumbin Tafilaj.

Këngëtarja Eliza Hoxha, mendon se Tafilaj ka bërë një hap të guximshëm, pavarësisht se në Kosovë ka gjithmonë tentativa për t’i thyer tabutë dhe për t’i promovuar vlerat e ndryshme që jetojnë brenda një komuniteti

“Thjeshtë parimisht unë jam përkrahëse e ideve, dëshirave dhe nevojave unike që ka secili prej nesh dhe besoj në idenë që ne duhet të jemi më kërkues që ta krijojmë hapësirën tonë për të realizuar vetën tonë brenda vendit ku jetojmë”, është shprehur Hoxha.

Kompozitori Florent Boshnjaku ka deklaruar se një këngë ndoshta nuk mund ta ndryshojë botën, por një këngë së paku i bënë njerëzit të mendojnë duke mos i lënë që ata të paragjykojnë të tjerët. “Mendoj se kjo këngë ka një porosi dhe për të gjithë që do ta shikojnë së paku do ta shijojnë dhe do ta bëjë me mendua në atë aspekt”, theksoi Boshnjaku.

Alban Ukaj, Alexander van Hemlok, Neda Nikolic, Arta Selimi, Sarah Jusufi, Lumi Bekiri, Drita Azemi dhe Drin Kelmendi ishin aktorët të cilët në mënyrën më të mirë të mundshme e treguan në pak minuta gjithë tekstin e këngës.

YouTube player