Palestina pranohet në Gjykatën e Hagës, SHBA-të dhe Izraeli kundër

Palestina i është bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, një mundësi kjo që do t’i hapë rrugë paditjes së Izraelit për krime lufte.

Bota

01/04/2015 23:00

Në një ceremoni modeste në Hagë, të mbajtur pas nënshkrimit dy muaj më parë të statutit të kësaj gjykate, Palestina u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Riad Maliki, duke u bërë kështu shteti i 123-të në botë që përfshihet në të.

Me kërkesë të autoriteteve palestineze, Kryeprokurori i Gjykatës ka nisur që në muajin janar hetimet paraprake mbi pretendimet e ngritura për krime të Izraelit në luftën e fundit në Gaza, në pjesën e dytë të vitit 2014.

Pavarësisht se Izraeli nuk e ka ratifikuar statutin e Gjykatës, liderët civilë dhe ushtarakë të vendit mund të akuzohen për krime lufte të kryera në territorin palestinez, por edhe militantë të grupimeve ekstremiste palestineze, si Hamas, mund të jenë subjekt i akuzave.

Ky vendim është kritikuar nga SHBA-të dhe Izraeli, me argumentin se kjo mund të sjellë bllokim të marrëveshjes së paqes mes Palestinës dhe Izraelit.

Nëpërmjet një deklarate për media, SHBA-të thanë se Palestina nuk është shtet sovran dhe kjo duhet të shërbente si pengesë për t’iu bashkuar Gjykatës së Hagës dhe paralajmëroi se do të ndërpriste fondet për autoritet palestineze.

Izraeli e quajti këtë vendim si një sfidë të Palestinës për përballje dhe deklaroi se do të ngrinte menjëherë një fond prej 400 milionë dollarësh që ishte destinuar për Palestinën.