Pak kohë pas lirimit me dorëzani 50 mijë euro -arrestohet sërish trafikanti Agim Rexhepi, tani i përfshirë në rastin e “SKY ECC”
Anipse ishte liruar falë dorëzanisë që kishte ofruar në gjykatë, i akuzuari për shitblerje të narkotikëve u arrestua përsëri madje në aksionin më të gjerë policor në kuadër të luftimit të narkotikëve , i njohur si “Qielli i thyer”. Bëhet fjalë për Agim Rexhepin, i cili ka arritur që të lirohet nga masa e paraburgimit…

Lajme
Anipse ishte liruar falë dorëzanisë që kishte ofruar në gjykatë, i akuzuari për shitblerje të narkotikëve u arrestua përsëri madje në aksionin më të gjerë policor në kuadër të luftimit të narkotikëve , i njohur si “Qielli i thyer”.
Bëhet fjalë për Agim Rexhepin, i cili ka arritur që të lirohet nga masa e paraburgimit e cila i ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Vetëm pak kohë pasi u lirua nga paraburgimi për një rast ku u kap me 10 kilogramë drogë në Prishtinë, Agim Rexhepi është arrestuar sërish – kësaj here si i dyshuar për përfshirje në rrjetin kriminal që përdorte aplikacionin e koduar “SKY ECC”.
Por si erdhi deri tek ky vendim?
Rexhepi ka arritur që t’i jap 50 mijë euro dorëzani dhe të njëjtit i është ndryshuar masa e përcaktuar nga gjykata si fillim me paraburgim, në masën e dorëzanisë.
Në lidhje me këtë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë deklaruar për lajmi.net se zëvendësimi i masës së paraburgimit në masën e dorëzanisë është i vërtetë.
Por e çuditshme është se gjykata vazhdimisht ka tentuar që të hedhë topin tek Prokuroria Themelore në Prishtinë ku u tha se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë aktvendim duke “aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit, të pandehurit A.R. i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë”.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në çështjen penale kundër të pandehurit A.R. i dyshuar për veprën penale Blerja, posedimi shpë dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës ka marr Aktvendim duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.R. i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë”, u tha në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.
Po ashtu nga Gjykata u theksua se i pandehuri ishte i obliguar që të deponoj 50 mijë euro në arkë të gjykatës.
“Obligohet i pandehuri A.R. që në emër të dorëzanisë të deponoj shumën në vlerë prej (pesëdhjetë mijë) 50.000 euro, në arkë të gjykatës. Nga gjyqtari i procedurës paraprake në këtë çështje penale jemi informuar se deri më tani, i njëjti nuk ka pranuar ankesë kundër këtij vendimi nga Prokuroria Themelore Prishtinë”.
Por rasti i tij nuk përfundoi me kaq, pasi i lartcekuri – Rexhepi është arrestuar përsëri.
Pas lirimit me dorëzani, i njëjti është arrestuar në Prishtinë e këtë herë nën dyshimin për përfshirje edhe në një rast të veprimtarive të kundërligjshme që u tha se ishin kryer përmes platformës “SKY ECC”- apo e njohur për organizmin e aktiviteteve kriminale.
Arrestimi i Rexhepit është konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve nga rasti i përfshirjes me “SKY ECC”.
Në aksionin “Qielli i thyer” morën pjesë rreth 600 zyrtarë policorë dhe rezultoi me arrestimin e 22 personave të dyshimtë.
Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar sasi të mëdha të pasurisë dhe dëshmive materiale, përfshirë lëndë narkotike:
29 vetura
134,900 euro para të gatshme
20,040 franga zvicerane
490 dollarë
13,000 euro para të falsifikuara
9 orë dore luksoze
36 armë të llojeve të ndryshme
1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion
një prese për paketim heroine dhe kokaine
laptopë, telefona, USB dhe dokumente
Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë 400 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.
Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.
“Ky është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që merren me trafikim ndërkombëtar, pastrim parash dhe forma të tjera të kriminalitetit” – thuhej në komunikatë./Lajmi.net/