Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës, MPB hap konkursin për Drejtor të Policisë së Kosovës
Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës i cili drejtoi Policinë e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit të MPB-së, ky konkurs është hapur me datë 4 të këtij muaji dhe mbetet i hapur deri me 19.11.2026. Në këtë konkurs bëhet e…
Lajme
Pak ditë nga dorëheqja e Gazmend Hoxhës i cili drejtoi Policinë e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të MPB-së, ky konkurs është hapur me datë 4 të këtij muaji dhe mbetet i hapur deri me 19.11.2026.
Në këtë konkurs bëhet e ditur se ekziston mundësia për vazhdim të mandatit pas përfundimit të mandatit për çdo pesë vjetët vijuese nga autoriteti që e ka emëruar. Përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës thuhet se janë për menaxhim ekzekutiv ndërsa i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës, në përputhje me nenin 5 të ligjit për Policinë.
Tutje në konkurs janë përshkruar detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të drejtorit, kushtet ligjore për përzgjedhje dhe emërim, aftësitë dhe kompetencat profesionale që vlerësohen, dokumentet e nevojshme për aplikim, mënyra e aplikimit, afati për aplikim, procedura e përzgjedhjes dhe emërimit dhe informatat shtesë. Lidhur me këtë konkurs, Ministria e Punëve të Brendshme ka shkruar se siguron mundësi të barabarta dhe trajtim pa diskriminim gjatë procedurës së konkurrimit ndërsa ka inkurajuar gratë dhe burrat e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë nëse i plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Gazmend Hoxha dha dorëheqje morale më 30 shtator 2026, nga kjo pozita për të cilën u emërua më 8 mars 2023.
Dorëheqja e tij erdhi në kohën kur në pah dolën dhjetëra neglizhenca si nga Policia, Prokuroria e gjyqësori në Pejë.
Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, ndërsa ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ka caktuar Fehmi Hotin, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.Sipas njoftimit të Qeverisë, vendimi për caktimin e Hotit është marrë pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në njoftimin e Qeverisë nuk është dhënë ndonjë arsye konkrete për dorëheqjen e Hoxhës, ndërsa ky zhvillim vjen pas një vargu suspendimesh në Policinë e Pejës.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës kishte njoftuar për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i Arlinda Zekajt.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, zyrtarë të tjerë udhëheqës, si dhe katër hetues policorë.Gazmend Hoxha pozita e të cilit ishte kolonel, ishte emëruar në krye të institucionit kyç të sigurisë në Kosovë, Policinë e Kosovë.
Në vend të Gazmend Hoxhës ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, është caktuar Fehmi Hoti./Lajmi.net/
Kush është Fehmi Hoti, tani ushtrues detyre i drejtorit të Policisë së Kosovës?