Paga minimale rritet në 500 euro, Azemi: Çka mbetet nën 800 euro është pagë që nuk i mbulon nevojat

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli me një deklaratë nga ku tha se që nga sot paga minimale për sektorin privat u rrit në 500 euro. Sipas Kurtit përfitues nga kjo rritje janë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat. “Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011…

Lajme

01/07/2026 11:24

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli me një deklaratë nga ku tha se që nga sot paga minimale për sektorin privat u rrit në 500 euro.

“Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011 ishte viti i fundit kur ajo u ndryshua. Që prej atëherë ajo mbeti 130 përkatësisht 170 euro (varësisht se a je nën apo mbi 35 vjeç). Ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro. Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

Këtë rritje të pagës minimale e ka kritikuar vetë Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili konsideron se një rritje e tillë nuk është e mjaftueshme.

Azemi ka deklaruar se “çka mbetet nën 800 euro është pagë që nuk i mbulon kërkesat elementare”, krahasuar me rritjen e çmimeve.

“Nuk është e mjaftueshme paga 500 euro minimale për një jetesë të rehatshme. Për ta pasur një pagë të arsyeshme minimale mendojë se çka mbetet nën 800 euro është pagë që nuk mbulon kërkesat elementare të një familje.”, u shpreh Azemi për Metro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se çmimet e konsumit në vend kanë shënuar rritje vjetore prej 6 për qind në muajin shkurt 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit në Kosovë kanë vazhduar të rriten, duke shtuar presionin mbi buxhetin e qytetarëve.

Sipas të dhënave të fundit, inflacioni në muajin shkurt 2026 ka arritur në 6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një muaji çmimet janë rritur mesatarisht për 0,6 për qind.

Rritja e çmimeve po ndihet në shumë kategori të përditshme të konsumit, duke filluar nga ushqimet, shërbimet, deri tek kostot e transportit dhe mirëmbajtjes së shtëpisë. Kjo situatë po krijon shqetësim, pasi shtrenjtimi i vazhdueshëm po e bën gjithnjë e më të vështirë për shumë familje që të përballojnë shpenzimet mujore.

Sipas të dhënave, rritjet më të mëdha janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë shtrenjtuar për 42,5 për qind.

Një rritje e ndjeshme është vërejtur edhe te biletat e fluturimeve, që janë rritur për 39 për qind, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin janë shtrenjtuar për 33,4 për qind.

Në të njëjtën kohë, janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e produkteve bazë ushqimore. Mishi është shtrenjtuar për 14,7 për qind, pemët për 16,4 për qind, ndërsa perimet për 6,4 për qind. Po ashtu rritje është shënuar edhe te kafeja, çaji dhe kakao me 9,3 për qind, si dhe te sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat me 7,4 për qind.

Edhe produktet e tjera të përdorimit të përditshëm kanë shënuar rritje. Qumështi, djathi dhe vezët janë shtrenjtuar për 5,6 për qind, ndërsa buka dhe drithërat për 5,2 për qind. Rritje është regjistruar edhe te shërbimet hoteliere me 9,5 për qind, shërbimet ambulantore me 9,6 për qind, si dhe te kujdesi personal me 6,6 për qind.

Shtrenjtimi nuk ka përfshirë vetëm ushqimet dhe shërbimet, por edhe kostot që lidhen me jetën e përditshme në shtëpi.

Çmimet e lëndëve djegëse të ngurta, si dru zjarri dhe pelet, janë rritur për 16,8 për qind, ndërsa mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit është shtrenjtuar për 15,1 për qind.

Në nivel mujor, pra në krahasim me janarin e këtij viti, çmimet janë rritur mesatarisht për 0,6 për qind. Rritjet më të mëdha janë shënuar sërish te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë rritur për 24,4 për qind. Po ashtu janë shtrenjtuar edhe perimet për 5,8 për qind, pemët për 4 për qind dhe pajisjet audio-vizuele për 3,8 për qind.

Edhe në këtë periudhë janë vërejtur disa ulje të çmimeve. Biletat e fluturimeve kanë rënë për 18,2 për qind, energjia elektrike për 4,3 për qind dhe qumështi, djathi dhe vezët për 2,8 për qind.

Megjithatë, trendi i përgjithshëm mbetet shqetësues, pasi shumica e produkteve bazë dhe shërbimeve po vazhdojnë të shtrenjtohen.

Ndërkaq nëse kalkulohet paga minimale krahasimisht me rritjen e çmimeve dhe nivelin e inflacionit, i bie që paga minimale në Kosovë nuk ka ndonjë impakt në jetën e qytetarëve.