Paga minimale 250 euro e pamjaftueshme për qytetarët e Kosovës, ekspertët thonë se duhet të bëhet 550 euro

Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 ka mbetur në vlerën e 170 eurove. Kjo sipas ekspertëve ka disa indikatorë se përse paga minimale ende ka mbetur në nivelin e 170 eurove, e cila sipas tyre, është skandaloze dhe thellon edhe më tej varfërinë e qytetarëve. Qeveria Kurti, në vitin 2022 propozoi që paga…

Lajme

31/07/2024 19:07

Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 ka mbetur në vlerën e 170 eurove. Kjo sipas ekspertëve ka disa indikatorë se përse paga minimale ende ka mbetur në nivelin e 170 eurove, e cila sipas tyre, është skandaloze dhe thellon edhe më tej varfërinë e qytetarëve.

Qeveria Kurti, në vitin 2022 propozoi që paga minimale në vend të bëhet 250 euro. Nga opozita dolën kundër që paga minimale të jetë 250 euro, duke kërkuar që ajo të jetë më e madhe.

Rritja e çmimeve nga inflacioni që ka përjetuar bota nga lufta në Ukrainë, ka ndikuar që në Kosovë shporta e qytetarit të zbrazet.

Nga kjo krizë, por edhe kriza tjera paraprake, ka ndikuar që shumë qytetarë të Kosovës ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë.

Për këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar ekonomistin dhe analistin e njohur, Safet Gërxhaliu, i cili ka folur lidhur me pagën minimale në Kosovë.

Ai tha se çështja e pagës minimale në Kosovë është neglizhuar nga kriza politike që është duke mbizotëruar në vend, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe sanksionet nga Bashkimi Evropian.

“Duhet të kuptohet e vërteta që Kosova po përballet me një krizë politike, dhe kjo si rrjedhojë, e kësaj krize politike, falë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe sanksionet nga Bashkimi Evropian, shumë procese të rëndësishme ekonomike dhe sociale kanë mbetur të anashkaluara. Në këtë drejtim, kemi inflacion, kemi importuar inflacion, dhe efektet e inflacionit po e dikton më shumë qytetari i Kosovës, përmes ngritjes së çmimeve, dhe në këtë drejtim këto paga kanë mbetur në nivelin paraprak.”- tha Gërxhaliu.

“Vetë fakti se edhe më tutje nuk është miratuar ligji për pagën minimale, është shqetësuese. Dhe tani ne jemi në një situatë kur ne nuk duhet të merremi dhe të mendojmë për pagën minimale dhe për pagën mesatare, por duhet të kalkulohet paga ekzistenciale, e cila është shumë më e lartë se paga minimale. Në këtë drejtim besoj që duhet të jemi më të alarmuar, siç po e shihni, çdo ditë e më tepër qytetarët po ikin nga Kosova, kemi shumë pak shpresë, që do të bëhet më mirë. “- tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu theksoi se paga minimale në Kosovë prej 250 eurove nuk është e mjaftueshme për jetesë.

“Jo definitivisht, në qoftë se e shohim ngritjen e çmimeve, dhe tregtisë, është shumë e vështirë të jetohet me 250 euro pagë. Ku dihet fare mirë, që fuqia blerëse ka rënë, shporta e qytetarit për prodhime esenciale është shumë e shtrenjtë, dhe me të vërtetë është një pagë e cila nuk garanton një jetë normale”.

Gërxhaliu tha se paga minimale në Kosovë por edhe ajo mesatare janë të ulëta. Ndërsa për pagë minimale ai tha se duhet të jetë të paktën 450 euro.

“Duhet të kuptohet e vërteta që tërë vendet e rajonit në Ballkanin Perëndimor, kanë paga më të shumta, i kanë përcjellë proceset ekonomike, ngritjen e çmimeve dhe kanë përcjellë edhe ndikimin e inflacionit. Mirëpo, në Kosovë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, vetë fakti se sot punëtori e ka pagën më të ulët minimale dhe mesatare është vetë shqetësuese.Nuk duhet pritur zgjedhjet politike që të rritet paga minimale. Çdo vlerë e pagës aktuale minimale është e vogël, dhe realisht, çdo pagë ndër 450 euro është me të vërtetë denigruese.”, shtoi ai.

Gërxhaliu u pyet nga lajmi.net, se a mundet ekonomia e Kosovës, që përbëhet këtë vit nga një GDP (Bruto Produkti Vendor) 11.5 miliardë dollarësh, të përballojë një pagë minimale prej 450 eurove.

“Vetë fakti që ka mjete të pashfrytëzuara, dhe vetë fakti se sot buxheti i Kosovës, për gjashtë muajt e parë, në nivel qendrorë, janë shfrytëzuar vetëm 120 milionë euro, dhe në nivelin lokal 76 milionë, e dëshmon mjerimin. Prandaj në këtë drejtim kemi stagnim social në mirëqenien e qytetarëve, ndërsa, kemi ruajtje të parave dhe rritje të varfërisë”- përfundoi Gërxhaliu.

Paga minimale duhet të jetë 550 euro

Ndryshe mendoi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Ai tha se paga minimale e një punëtori në Kosovë duhet të jetë 550 euro, kjo pasi shumica e vendeve në rajon e kanë tanimë këtë pagë minimale.

“Paga minimale ka të bëjë si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Por, megjithatë, në sektorin publik, nuk kemi pagë të cilën është duke u folur për tani. Paga minimale që tani për tani mund të plotësojë kërkesat më elementare, do të ishte 550 euro. Aty ku janë thuajse një pjesë e madhe e vendeve në rajon, dhe gjithçka që të bisedohet për pagën 550 euro është kostoja për shepnzimet për 4 persona nuk mund ti mbulojë as nevojat më elementare.”

Ai tha se pas 14 viteve “ka pasur lëvizje”.

“Për ndryshimin, lidhur me pagën minimale, nuk jemi vonuar shumë, të themi ashtu në thonjëza. Pas 14 viteve kemi bërë një lëvizje. Kjo pagë minimale që e kemi nuk ja vlen. Megjithatë një pagë minimale ka lëvizur që nga viti 2011 deri në vitin 2024, që ende nuk është në fuqi.”

“Me këtë shumë të këtyre mjeteve, më shumë kemi krijuar alergji tek punëtorët, por sa që është krijuar diçka e mirë…”

Ai tha se vitin e kaluar kanë propozuar që paga minimale të jetë 450 euro, por sipas tij, kjo tanimë është demode. Thekson se me rritjen e çmimeve dhe ikjen e fuqisë punëtore duhet të jetë 550 euro.

“Vitin e kaluar kemi thënë se një pagë minimale duhet të jetë 450 euro, por sivjet kjo pagë është demode, dhe nuk merret askush me të”.

“Jo, punëtorët nuk do të kthehen, sepse me këtë pagë 250 euro nuk përmbushë as kriterin e parë të mbijetesës. Por mendoj që ata që kanë vendosur të jetojnë këtu, nëse e bëjmë një pagë 550 euro, do ti futë në mëdyshje punëtorët dhe do të anojë nga ajo që të qëndrojnë edhe për një kohë që ndoshta do të lëvizë edhe kjo. Përndryshe, edhe nëse sot e bëjmë pagën 550 euro, ata të cilët janë larguar nga vendi, e kanë ndarë mendjen, kanë pritur më shumë se dy dekada që të ketë përmirësime”, tha Azemi.

Azemi tha se punëtorët që janë larguar nga vendi tanimë edhe po të kenë pagë mesatare 1000 euro neto, ata nuk do të kthehen.

“Nëse këta punëtorë që janë larguar nga vendi, edhe po ta kenë pagën mesatare 1000 euro neto, ata prapë nuk do të ktheheshin, sepse janë lodhur”.- përfundoi Azemi.

Ekspertët, por edhe sindikatat mendojnë se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 450 euro deri 550 euro. Ndërsa Gërxhaliu dhe Azemi u pajtuan se buxheti dhe GDP (Bruto Produkti Vendor) prej 11.5 miliardë dollarësh e përballon një pagë minimale 450 ose 550 euro. /Lajmi.net/