Pacolli përshëndet aksionin e Prokurorisë në AKK: Ndonëse i vonuar, është i mirëpritur dhe ka mbështetjen tonë të plotë

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar në lidhje me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Ajo ka thënë se për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, elemente të krimit të organizuar në tjetërsim të pronave publike. Sipas saj, mijëra hektarë…

Lajme

06/05/2026 12:43

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar në lidhje me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Ajo ka thënë se për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, elemente të krimit të organizuar në tjetërsim të pronave publike. Sipas saj, mijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara ka thënë se dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen.

“Që nga marrja e detyrës si ministre, kam ndërmarrë hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, duke emëruar drejtorin e ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe duke kërkuar rishikimin e rasteve të dyshimta. Ne jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis”, ka thënë ajo.

Ajo ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë në AKK.

“Ndonëse i vonuar, ky veprim është i mirëpritur dhe ka mbështetjen tonë të plotë. Si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi në dispozicion për të ndihmuar me çdo informacion dhe bashkëpunim të nevojshëm për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e ligjshmërisë në këtë institucion”, ka shtuar ajo.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dal me komunikatë për aksionin e ndërmarr në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa lokacione tjera.

Në komunikatën e lëshuar, thuhet se ky aksion është bërë për kontroll ndaj të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe legalizim i përmbajtes së pavërtetë, transmeton lajmi.net.

“Sipas dyshimeve, të bazuara,të pandehurit A.Q., dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar ‘’Kontratë për këmbim e paluajtshmërive’’ të datës 11.02.1966. Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Gjatë hetimeve, është dyshuar se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar të paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare. Po ashtu, i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë.”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar, duke shtuar se të dyshuarit B.Sh dhe M.B si zyrtar të Agjencisë, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar aneksën e palës, duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistroj pronën në emër të tij. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: