Pacolli kritikon gjuhën e Kurtit ndaj Devollëve: Përpjekje për të njollosur figura që punësojnë mbi 5000 njerëz në Kosovë

Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj gjuhës së ashpër të Albin Kurtit ndaj dy biznesmenëve kosovarë, Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Kurti në fjalën e tij gjatë fushatës në Pejë dje, sulmoi biznesmenët në fjalë duke thënë se “Po vjen dita kur kemi nevojë për një brez të ri të biznesmenëve, përtej këtyre që u pasuruan prej…

Lajme

14/01/2025 14:27

Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj gjuhës së ashpër të Albin Kurtit ndaj dy biznesmenëve kosovarë, Blerim dhe Shkëlqim Devolli.

Kurti në fjalën e tij gjatë fushatës në Pejë dje, sulmoi biznesmenët në fjalë duke thënë se “Po vjen dita kur kemi nevojë për një brez të ri të biznesmenëve, përtej këtyre që u pasuruan prej tranzicionit. Jo më aso biznesmenësh që milionin e parë që milionin e parë e kanë nga koha e Serbisë, apo nga koha e klanit pronto”.

Ndërkaq, kritik për këtë gjuhë u shpreh kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ish-presidenti e ka quajtur gjuhën e Kurtit si një përpjekje për të manipuluar publikun dhe për të njollosur figura që ndër vite kanë kontribuar në ekonominë dhe zhvillimin e Kosovës.

Sipas Pacollit, është e lehtë të sulmohet ata që ndërtojnë diçka të qëndrueshme për vendin dhe se akuzat e tilla janë të pabaza.

Shkrimi i plotë:

“Në një fjalim që synonte të godiste dinjitetin dhe punën e vyer të familjes Devolli, Kryeministri Kurti përdori një gjuhë të papërshtatshme, duke e shoqëruar ironinë me kritika dhe akuza të pabaza kundër bizneseve të djemve të kësaj familjeje. “Lavdërimi” ironik i babait të tyre, i shoqëruar me akuza të rënda ndaj punës dhe përkushtimit të djemve të tij, të cilët punësojnë mbi 5,000 njerëz, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të manipuluar publikun dhe për të njollosur figura që ndër vite kanë kontribuar në ekonominë dhe zhvillimin e Kosovës.

Është e lehtë të sulmosh ata që ndërtojnë diçka të qëndrueshme për vendin, por është shumë më e vështirë të kontribuosh realisht në zhvillimin ekonomik dhe social, siç kanë bërë këta djemë. Akuzat për bashkëpunim me Serbinë janë jo vetëm të pabaza, por edhe të dëmshme për krijimin e një klime të shëndetshme ekonomike dhe politike në vend.

Çdo biznes serioz operon në përputhje me rregullat dhe kërkesat e tregut, DUKE I’U ADAPTUAR KUSHTEVE DHE KOHES dhe duke u përballuar me sfida të shumta për të mbijetuar vetëm e vetëm pët t’ia dalur dhe për të krijuar vende pune për qytetarët tanë.

Si një njeri i punës, e shoh si të padrejtë një sulm të tillë si ky i bërë në Pejë nga Kryeministri ynë, dhe shpirtërisht e kam të pamundur të pranoj një qasje të tillë. Prandaj, në emër të të gjithë veprimtarëve ekonomikë, kërkoj nga Kryeministri dhe përfaqësuesit e qeverisë të ndalin përdorimin e gjuhës së urrejtjes si një mjet politik për të larguar vëmendjen nga dështimet reale. Të përqendrohen në krijimin e një klime të qëndrueshme dhe mbështetëse ku bizneset e Kosovës të mund të zhvillohen pa frikë nga presionet politike dhe akuzat e pabaza.

Nëse qeveria nuk është në gjendje të mbështesë bizneset e suksesshme, të paktën të mos i dëmtojë me insinuata dhe shpifje të pavërteta” shkruan Pacolli në reagim. /Lajmi.net/