Pacolli: Jakup Krasniqi po gënjen, do të bëj kallëzim penal ndaj tij
Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili e ka akuzuar se ka tentuar ta korruptojë për ta votuar për president. Pacolli ka thënë se Krasniqi po gënjen, dhe se nëse jo EULEX-i, atëherë ai do të ngreh padi penale ndaj kryeparlamentarit.

Lajme
Pacolli, i cili e mbajti pozitën e presidentit për vetëm 37 ditë, pasi më pas e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, në profilin e tij në Facebook shkruan se është i habitur me deklaratën e kryeparlamentarit Krasniqi.
“Sot nëpër mediet dhe portalet e Kosovës, po qarkullon lajmi se gjoja unë paskam dërguar dikë Jakup Krasniqit, ‘për t`ia blerë votën e tij’. Unë jam i detyruar të merrem me të për shkak të funksionit që ai aktualisht e mban, ngase me të personalisht nuk do të merresha prejse kur e ka përbuzur sofrën time në gusht të vitit 1999 në Lugano”.
“E kuptoj nevojën që zoti Krasniqi ka, për më shumë promovim mediatik dhe sinqerisht, duke u nisur nga një logjikë e shëndoshë nuk do t`ia vlente kurrsesi që unë të merresha me të”, shkruan Pacolli.
“Opinion publik, e informoj se tanimë jam kalitur me akuza shpifëse në adresën time, që nga koha kur kam ardhur në Kosovë dhe shpifjet e Jakupit i konsideroj si të radhës”.
“Unë i them atij se ka bërë gabim të madh dhe shkelje nën betim që nuk e ka denoncuar këtë shpifje nëse ai e konsideron fakt. Do të ishte mirë, që organet kompetente të merren me këtë punë, ngase tingëllon e rëndë që një kryeparlamentar i një shteti të civilizuar të gënjen”.
“Për hirë të opinionit publik, me përgjegjësi morale dhe materiale, deklaroj se asnjëherë nuk kam kërkuar favore nga Jakup Krasniqi dhe do të isha shumë i lumtur që kjo të ndodhë edhe në të ardhmen”.
“Nga këtu po i drejtohem me një adresim: Jakup, t’i je i frustruar për arsyet të cilat t’i vet i di”.
“Sa më përket mua, unë i bëj thirrje prokurorisë vendore dhe të EULEX-it, që ex oficio të hapë hetime rreth deklaratës së Jakup Krasniqit. Nëse kjo mungon, unë do të ushtroj kallëzim penal ndaj Jakup Krasniqit”, ka shkruar Pacolli.
Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj kishte shpallur jo-kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës të 22 shkurtit 2011 për emërimin e Behgjet Pacollit President dhe e shpallte atë të pavlefshëm që nga 30 marsi.
Sipas kësaj gjykate, 34 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishin pasur të drejtë në parashtrim e lëndës, pasi votimi në seancë nuk kishte pasur kuorumin e duhur (prej dy të tretave të tërësisë së Kuvendit) dhe po ashtu nuk kishte pasur kundërkandidat të Pacollit – dhe procedura kështu kishte shkelur Kushtetutën e vendit.