Pacientët mbeten pa zgjidhje- në QKUK s’ka “barium sulfati”, mungesë ka edhe në të gjitha barnatoret
Qytetarët e Kosovës, “derën” kryesore për trajtimin e problemeve të tyre shëndetësor, sidomos kur ato janë më serioze e kanë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kryeqytet. Por, aty shpesh ka mungesa edhe të gjërave elementare për trajtimin e pacientëve si dhe të atyre që janë tepër të nevojshme. QKUK sipas pacientëve që po trajtohen…

Lajme
Qytetarët e Kosovës, “derën” kryesore për trajtimin e problemeve të tyre shëndetësor, sidomos kur ato janë më serioze e kanë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kryeqytet.
Por, aty shpesh ka mungesa edhe të gjërave elementare për trajtimin e pacientëve si dhe të atyre që janë tepër të nevojshme.
QKUK sipas pacientëve që po trajtohen aktualisht aty, ka edhe mungesë të “barium sulfati”, substancë kjo që përdoret për diagnostikimin e problemeve përmes radiografisë.
Ajo është substanca pa të cilën nuk mund të bëhen shumë kontrolle të cilat caktohen të bëhen nga mjekët në QKUK, që lidhen me fotografimet e radiografitë, por që vetë institucioni nuk mund t’ia siguroj pacientëve.
Problemi rritet, kur e njëjta substancë, “barium sulfati” mungon edhe në barnatoret private, si shkak i një vendimi që sipas tyre thuhet të jetë marrë nga Ministria e Shëndetësisë për barnat.
Siç kanë raportuar për lajmi.net qytetarët të cilët po përballohen me këtë problematikë, këtë substancë të nevojshme për trajtimin e tyre nuk po mund ta gjejnë as në barnatoret private në Kosovë.
E vetmja zgjidhje për ta mbetet që këtë substancë ta sigurojnë nga shtetet fqinje, e zakonisht nga Shqipëria ku edhe shitet me çmim më të lirë se që mund ta gjenin më parë në Kosovë.
Në Shqipëri, këtë substancë qytetarët po e sigurojnë në vlerë prej 10 eurove ndërsa në Kosovë ajo kur ishte në shitje kushtonte 25 euro.
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek ShSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje, derisa shumë prej pacientëve mbeten pa zgjidhje sa i përket këtij projekti siç është “barium sulfati” e shumë terapi të tjera që duhet marrë, por nuk jepen nga QKUK-ja e as nuk gjenden në barnatoret e vendit./Lajmi.net/