Pa asnjë telashe – Bayern demolon Chelsean dhe kalon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Bayern Munich janë treguar skuadër superiore kundër Chelsea.

Sport

08/08/2020 22:50

Gjiganti bavarez ka mposhtur Chelsean me rezultatin 4:1, për të prerë biletën për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me rezultatin e përgjithshëm 7:1 nga dy ndeshjet, shkruan lajmi.net.

Bayern e nisi vrullshëm edhe ndeshjen e dytë, duke shënuar qysh në minutën e 10’ me anë të Robert Lewandowski, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Kampionët e Bundesliga dyfishuan epërsinë me anë të kroatit Ivan Perisic, i cili në minutën e 24’ shënoi për 2:0.

Chelsea reagoi fillimisht me anë të Hudson Odoi në minutën e 28’, por ky gol u anulua nga VAR.

Një minutë para fundit të pjesës së parë, Tammy Abraham shënoi golin e parë të ‘Bluve’, për rezultatin 2:1.

Por, në 45 minutëshin e dytë Bayern arriti që të gjente golin edhe dy herë. Fillimisht Corentin Tolisso shënoi për 3:1 në minutën e 76′, kurse Robert Lewandowski vulosi rezultatin final 4:1 në minutën e 84′.

Kështu, Bayern kalon në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku aty do të përballet me skuadrën e Barcelonës. /Lajmi.net/