63 raste me fruth në Kosovë, IKShPK: Prishtina prin me numrin më të madh të të infektuarve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në vend. Sipas njoftimit të institutit, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja. Prishtina kryeson me numrin më të madh të rasteve, gjithsej…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në vend.
Sipas njoftimit të institutit, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja.
Prishtina kryeson me numrin më të madh të rasteve, gjithsej 19, e pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste. Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste secila. Me nga një rast janë raportuar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK ka theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e pavaksinuar.
Për këtë arsye, instituti u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurohen që ata të vaksinohen sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton, u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të imunizimit”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së. /Lajmi.net/