OVL-UÇK: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk mund të kundërshtohen me spekulime
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. OVL-UÇK i ka cilësuar si “të nxituara dhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik” qëndrimet se ndryshimet e miratuara janë të pazbatueshme ose në kundërshtim me…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
OVL-UÇK i ka cilësuar si “të nxituara dhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik” qëndrimet se ndryshimet e miratuara janë të pazbatueshme ose në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, raporton lajmi.net
Sipas OVL-UÇK-së, deri më tani nuk është bërë publike ndonjë analizë apo studim juridik që argumenton në mënyrë profesionale këto pretendime.
Postimi i plotë:
Reagimet e ditëve të fundit ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, janë sa të nxituara, aq edhe të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik.
Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë analizë apo studim i mirëfilltë juridik që argumenton se këto ndryshime janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në vend të argumenteve juridike, opinioni publik është përballur kryesisht me polemika, interpretime të njëanshme dhe qëndrime politike, të cilat nuk mund të trajtohen si përfundime të pakontestueshme.
Refuzojmë të besojmë se pas këtyre reagimeve qëndron një përpjekje e qëllimshme për të shkurajuar qytetarët që, natë pas nate e ditë pas dite ,protestuan me dinjitet dhe shpresë për drejtësi. Megjithatë, mënyra dhe koha e këtyre reagimeve krijojnë pikërisht këtë përshtypje.
Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë, duke kërkuar respektimin e standardeve juridike dhe të parimeve mbi të cilat duhet të mbështetet çdo institucion i drejtësisë.
Spekulimet mbi pasojat e mundshme juridike nuk mund të zëvendësojnë analizën profesionale dhe as të përdoren për ta zhvlerësuar një nismë legjitime institucionale. Kushdo që pretendon të kundërtën, ka përgjegjësinë ta argumentojë qëndrimin e vet me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, jo me deklarime politike.
Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, edhe kur kjo ka kërkuar vendime jashtëzakonisht të vështira. Por ky bashkëpunim nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi të paanshme, përgjegjshmëri institucionale dhe respekt për dinjitetin e luftës çlirimtare.
Shpresa e qytetarëve për drejtësi meriton përgjigje të argumentuara, jo përpjekje për ta relativizuar apo shuar atë./Lajmi.net/