OVL-UÇK i dërgon letër ambasadorëve: Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë, çdo vendim që nuk e pasqyron këtë rrezikon shtrembërimin e tij
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i është drejtuar ambasadave mike në Kosovë, me një letër apeli për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare. Ata kanë shprehur shqetësim lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Kemi kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i është drejtuar ambasadave mike në Kosovë, me një letër apeli për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare.
Ata kanë shprehur shqetësim lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Kemi kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut. OVL UÇK vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të shteteve mike ndaj Kosovës dhe beson se ruajtja e besimit në drejtësi është jetike për paqen, stabilitetin dhe partneritetin ndërkombëtar”, ka shkruar OVL-UÇK.
Në letër, ata kanë thënë se argumentet juridike janë shtjelluar por ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.
“Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë”, thuhet në letrën e dërguar nga OVL-UÇK për ambasadorët.
Ata janë shprehur të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike.
“Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta. Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës”, thuhet në këtë letër. /Lajmi.net/
Letra e plotë:
