Osmani uron 2026: Kosova ecën përpara me besim dhe unitet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët kudo që ndodhen për Vitin e Ri 2026, duke theksuar se viti që po lëmë pas ka qenë sfidues, por njëkohësisht dëshmi e forcës, unitetit dhe vendosmërisë së shtetit të Kosovës. Në mesazhin e saj, Osmani ka theksuar se Kosova ka…

Lajme

31/12/2025 17:50

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët kudo që ndodhen për Vitin e Ri 2026, duke theksuar se viti që po lëmë pas ka qenë sfidues, por njëkohësisht dëshmi e forcës, unitetit dhe vendosmërisë së shtetit të Kosovës.

Në mesazhin e saj, Osmani ka theksuar se Kosova ka arritur të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare, të mbrojë rendin kushtetues dhe interesin shtetëror, si dhe të thellojë bashkëpunimin me partnerët strategjikë.

Ajo ka theksuar se Kosova ka qëndruar e palëkundur përballë çdo përpjekjeje destabilizuese dhe ka vazhduar ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të bazuar në barazi, dinjitet dhe respektim të të drejtave të njeriut.

Presidentja Osmani ka pranuar se viti që po përmbyllet nuk ka qenë i lehtë, përfshirë edhe vonesat në themelimin e institucioneve, por ka shtuar se këto sfida e kanë forcuar vendin dhe e kanë përgatitur për hapa të rinj me më shumë përgjegjësi dhe besim.

Ajo ka vlerësuar kontributin e qytetarëve, përfshirë punëtorët, policët, ushtarakët, mësuesit, mjekët, të rinjtë, gratë dhe vajzat, si dhe mërgatën, të cilën e ka cilësuar si shtyllë të pazëvendësueshme të zhvillimit dhe përfaqësimit të Kosovës në botë.

Duke folur për vitin 2026, Osmani ka theksuar se synimi mbetet ndërtimi i një Kosove më të sigurt, më të drejtë, më të integruar dhe më të zhvilluar, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe ku të rinjtë kanë perspektivë për të ardhmen në vendin e tyre.

Në fund të mesazhit, Presidentja u ka uruar qytetarëve shëndet, paqe dhe begati, duke shprehur besimin se viti 2026 do të jetë vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për Kosovën. /Lajmi.net/