Osmani thërret sërish liderët e partive – Jashari: “Shfaqje politike, jo zgjidhje”

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se së shpejti do të thërrasë një takim të dytë me liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik që po e karakterizon skenën aktuale në Kosovë. Lajmi u bë i ditur gjatë ditës së sotme, në vazhdën e përpjekjeve për të…

Lajme

30/06/2025 19:03

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se së shpejti do të thërrasë një takim të dytë me liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik që po e karakterizon skenën aktuale në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur gjatë ditës së sotme, në vazhdën e përpjekjeve për të ndërmjetësuar një konsensus mes subjekteve politike, pas tensioneve dhe përplasjeve të fundit institucionale.

Por për analistin politik Shemsi Jashari, këto takime nuk përfaqësojnë më shumë se një formalitet, që sipas tij po bëhet vetëm për të përmbushur kërkesat procedurale që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Unë rrjedhimisht nuk pres që të kemi një reflektim as pas këtyre shfaqjeve që po i shohim, qoftë me takimin me kryeministrin apo me Presidenten. Këto janë për konsum publik, jo për zgjidhje reale,” – tha Jashari në Tëvë1.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te paqartësitë ligjore apo kushtetuese, por te mungesa e vullnetit politik për bashkëpunim dhe kompromis.

“Qëndrimet janë të qarta, nuk ka dilema ligjore. Ka mungesë vullneti për t’u dakorduar për hapat e mëtejmë. Kjo është arsyeja pse asnjë takim nuk po sjell rezultate,” – shtoi ai.

Në vazhdim të intervistës, Jashari kritikoi edhe rolin e Presidentes Osmani, duke e akuzuar për mungesë veprimi dhe vonesë në adresimin e krizës.

“Si Presidente është vonuar me reagimin e saj ndaj kësaj situate. Ka munguar qasja e saj aktive kur situata ka nisur të përshkallëzohet,” – tha Jashari.

Analisti shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se fokusin e saj mund ta ketë tashmë jashtë mandatit presidencial, përkatësisht në ndërtimin e një subjekti të ri politik.

“E dimë se mandati i Presidentes përfundon në mars të vitit të ardhshëm. Ka shumë zëra që thonë se ajo synon të krijojë një parti politike dhe të futet në zgjedhje. Dhe kjo e largon vëmendjen e saj nga detyra që ka sot si Presidente,” – theksoi ai.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra deri tani, përfshirë takimet e thirrura nga kryeministri Albin Kurti dhe ato të iniciuara nga Presidentja, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje të qartë për mënyrën se si do të dilet nga situata aktuale, që përfshin përplasje kompetencash, tensione parlamentare dhe mungesë konsensusi për tema kyçe si zgjedhjet apo reforma zgjedhore.

Sipas analistëve, nëse nuk ndryshon qasja politike dhe nuk krijohet një frymë e re bashkëpunimi, takimet formale do të mbeten pa efekt real, ndërsa vendi rrezikon të hyjë në një krizë edhe më të thellë institucionale.