Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi lamtumirës me komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe me pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani shprehu mirënjohje të thellë, në emër të qytetarëve të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në kuadër të misionit të KFOR-it, duke theksuar se Kosova do të mbetet gjithmonë falënderuese për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve në të gjitha etapat.
Gjatë takimit, ajo falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend e rajon. Në shenjë mirënjohjeje, presidentja i ndau atij një vlerësim për angazhimin e tij.
Ndërkaq, Osmani i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në realizimin e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it, i cili udhëhiqet nga NATO. /Lajmi.net/
