Osmani takohet me Komandantin e KFOR’it, Presidenca: Pjesë e angazhimit për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n, njofton zyra e Osmanit. Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s…
Lajme
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n, njofton zyra e Osmanit.
Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin, thuhet në njoftimin e presidentes.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale.
“Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit”, thuhet në njoftim.